AktualitetBota+Të fundit

Sondazhet, rritet mbështetja për senatoren Harris

Sondazhet e reja tregojnë se po rritet mbështetjta për senatoren demokrate nga Kalifornia dhe kandidaten për presidente, Kamala Harris, pas debatit të parë të demokratëve javën e kaluar.

Senatorja Harris iu kundërvu ish-nënpresidentit Joe Biden, kryesues i tanishëm i garës, për kundërshtimin e tij ndaj disa përpjekjeve kundër ndarjeve racore në vitet 1970.

Një sondazh i ri i kanalit televiziv CNN tregon se Kamala Harris është ngjitur në vendin e dytë pas ish nënpresidentit Joe Biden, në vazhdën e debateve të demokratëve javën e kaluar të transmetuara nga kanali NBC.

Senatorja Harris me sa duket mori një shtytje nga një moment kyç në debat, kur ajo sfidoi drejtpërdrejt kundërshtimin nga zoti Biden të përpjekjeve të mandatuara nga qeveria për eliminimin e ndarjeve racore në shkollat publike në vitet 1970.

“Edhe ju keni punuar kundër integrimit në sistemin e autobusëve. Dhe në atë kohë një vajzë e vogël në Kaliforni, e cila në klasën e dytë ishte pjesë e përpjekjeve për të integruar shkollën e saj, shkonte në shkollë çdo ditë me autobus. Unë isha ajo vajzë e vogël,” tha senatorja Harris.

Zoti Biden u duk i thumbuar nga kritikat dhe mbrojti angazhimin dhe kontributin e tij për çështjen e të drejtave civile si ish-senator dhe ish nënpresident.

“Isha unë që e zgjata Aktin për të Drejtat e Votimit për 25 vjet me radhë! E bëmë këtë duke marrë mbështetjen e 98 senatorëve, të gjithë atyre që ishin të pranishëm në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Unë kam mbështetur fuqishëm diskutimin e çështjes së mohimit të qasjes në kutitë e votimit”, tha zoti Biden.

Senatorja Harris tani ka lëvizur në grupin e kandidatëve që përfshijnë ish nënpresidentin Biden, senatorin e Vermontit Bernie Sanders dhe senatoren e shtetit Masaçusets, Elizabeth Warren, e cila gjithashtu pati një ngritje në sondazhet e fundit.

“Mendoj se Kamala Harris pati një paraqitje mjaft të mirë në këtë debat. Joe Biden është në krye të garës, por ka një mbështetje, që ndoshta është e dobët. Komuniteti afrikano-amerikan sot ka një mbështetje të madhe për zotin Biden në sondazhe. Unë mendoj se Kamala Harris bëri një lëvizje në debat për të fituar mbështetjen e këtij grupi votuesish që përbëjnë 25 për qind të elektoratit të Partisë Demokratike”, thotë John Fortier nga Qendra e Politikave Dypartiake.

Zoti Biden ka kryesuar në sondazhe që kur hyri në garë në fillim të këtij viti. Por ai tani duket më i dobët, thotë eksperti Kyle Kondik:

“Do të jetë një provë për zotin Biden nëse ai do ta mbajë dot nivelin e mbështetjes që ka. A është niveli i tij i mbështetjes i bazuar në përgjithësi vetëm në vullnetin e mirë të votuesve nga vitet e Presidentit Obama, kur ai ishte nënpresident dhe emri tij i njohur? Apo ka diçka më të thellë në nivelin e përkrahjes për zotin Biden që do ta ndihmojë atë të përballojë sulmet e ardhshme?

Sondazhet tregojnë gjithashtu se shumë demokratë ende e shohin ish nënpresidentin Biden si të moderuar dhe e konsiderojnë atë si ndoshta kandidatin më të fortë për përballjen me Presidentin Trump vitin e ardhshëm, thotë Andra Gillespie:

“Biden shpreson se ka shumë votues të moderuar në zgjedhjet paraprake, të cilët mund të jenë liberalë për disa gjëra, por jo në nivelin e rivalëve të tij tij si Bernie Sanders apo Elizabeth Warren. Dhe kjo mund t’i japë atij një nivel më të lartë rehatie.”

Debati i ardhshëm i demokratëve do të mbahet këtë muaj në Detroit të Miçiganit./VOA

 

Fraksion.com