Rumania, korrupsioni dhe gjykatat
Gjykata Kushtetuese e Rumanisë nxori të mërkurën një vendim që nënkupton se shumë gjykime për korrupsion do të duhet të rifillojnë nga zeroja. Vendimi i gjykatës mbështet Social Demokratët qeverisës (PSD) në mosmarrëveshjen se si duhet t’i trajtojë Gjykata e Lartë rastet e ryshfetit.
Rumania është një nga vendet më të korruptuara të Bashkimit Evropian dhe PSD është parë si një kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit nga BE, Departamenti amerikan i Shtetit dhe mijëra gjyqtarë rumunë që kur kjo parti erdhi në pushtet në vitin 2017.
Prokurorët kanë arritur të shpallin fajtorë një numër ligjvënësish, ministrash dhe kryetarësh komunash, përfshirë ish-udhëheqësin e PSD Liviu Dragnea.
Hetimet e tyre kanë nxjerrë në dritë konflikte interesit, shpërdorim pushteti, mashtrime dhe dhënie kontratash shtetërore në shkëmbim të ryshfeteve.
Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbështet ankimimin e PSD që argumentonte se gjykimet paraprake për korrupsionin duhet të ishin dëgjuar nga kolegjet gjyqësore të Gjykatës së Lartë, të specializuar për rastet e ryshfetit, në përputhje me legjislacionin anti-korrupsion.
Gjykata e Lartë, e cila merret me shumicën e gjyqeve të korrupsionit që përfshijnë zyrtarë publikë, ka argumentuar se pothuajse asnjë shtet tjetër i BE nuk ka kolegje të specializuara. Megjithatë, ajo filloi zbatimin e vendimit në janar të këtij viti.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i marrë me pesë vota pro dhe katër kundër, nënkupton që rastet e korrupsionit të cilat nuk janë finalizuar deri në janar mund të rigjykohen. Nuk është e qartë kur do të publikohet argumenti i tij i detajuar ligjor, i cili do të përcaktojë se si duhet të zbatohet vendimi.
Që nga marrja e pushtetit në fund të vitit 2016, PSD është larguar nga parimi i pavarësisë së gjyqësorit, duke shkaktuar kritika nga ana e BE-së dhe protesta në rrugë, më të mëdhatë në disa dekada.
Votuesit e ndëshkuan PSD-në me zgjedhjet për në Parlamentin Evropian më 26 maj, ku kjo parti humbi ndaj grupimeve të qendrës.
Fraksion.com