Përkujtimore polake në Berlin?
Nga Jacek Lepiarz
Gjashtë milionë polakë u vranë në Luftën e Dytë Botërore nga politika gjermane e shkatërrimit. 80 vjet pas fillimit të luftës do të ngrihet një përmendore në kujtim të viktimave. A është Berlini gati për këtë?
Politikanët polake janë ankuar herë pas here, se kombi që ishte viktima e parë e sulmit gjerman më 1 shtator 1939 dhe iu desh të paguante me gjakderdhje rezistencën e bërë, nuk ka asnjë vend të përshtatshëm përkujtimor, ku në ditët historike të vendosë kurora me lule.
Nisma e shoqërisë civile sjell ndryshimin
Mbas përpjekjeve të gjata dhe të kota, ndryshimi në debat erdhi një vit e gjysmë më parë me një nismë të shoqërisë civile në Gjermani. Florian Mausbach, ish presidenti i Zyrës gjermane për Urbanistikën, i drejtoi një kërkesë më 15 nëntor 2017 parlamentit gjerman dhe publikut, që në qendër të Berlinit të ngrihet një përmendore për Poloninë, në kujtim të viktimave polake gjatë pushtimit gjerman. Ai bëri njëkohësisht propozimin konkret për vendin e përmendores, në sheshin Askanez para rrënojave të Stacionit të trenit Anhalter.
Mausbach u përkrah në idenë e tij nga personalitete të njohura të politikës, shkencës dhe kulturës e kishës, mes të cilëve edhe ish-presidentja e Parlamentit Rita Süssmuth dhe pasardhësi i saj, Wolfgang Thierse. “Me një përmendore për Poloninë ngritur në sheshin askanez do të vendoset një simbol gjermano- polak i luftës, shkatërrimit, dëbimit dhe pajtimit e lidhur direkt me shkaqet dhe pasojat,” thuhet në thirrjen për ngritjen e monumentit.
Fillon diskutimi
Kjo kërkesë shpalosi një diskutim të zjarrtë në Gjermani. Duke ngritur një përmendore për Poloninë ne pranojmë se “agresioni gjerman dhe politika e shkatërrimit filloi më 1 shtator 1939 në Poloni, dhe jo me sulmin mbi Bashkimin Sovjetik më 1941,” thotë Dieter Bingen, drejtor i Institutit Gjermano- Polak në Darmstadt dhe përkrahës pasionant i projektit.
Por jo të gjithë janë dakord me këtë projekt. Kritikët thonë se ekziston rreziku i “nacionalizimit” të kujtesës. Markus Meckel, mendon se është problematike që viktimat e nacionalsocializmit “të fillojnë të kujtohen sipas kombeve”. Kush fillon me një gjë të tillë, duhet të ngrejë përmendore edhe për miliona viktima të kombeve të tjera, ukrainase, bjelloruse, ruse dhe shumë të tjera, thotë Meckel, një socialdemokrat që angazhohet prej dekadash me dialogun gjermano -polak.
Meckel preferon më shumë ngritjen e një qendre dokumentimi për luftën shkatërrimtare në Lindje të Europës, në të cilën të tregohet historia e Europës Lindore duke filluar me “Paktin Stalin- Hitler” të 23 gushtit 1939.
Muzeum në vend të përmendores?
Edhe për studiuesin e Holokaustit, Stephan Lehnstaedt nga Touro College në Berlin, një përmendore “vetëm për polakët etnikë” do të jepte sinjal të gabuar. Në vend të tij duhet ngritur një muzeum gjermano- polak, në Berlin edhe në Varshavë.
Në Poloni kjo iniciativë gjermane shihet shumë pozitivisht. “Gjermanët duan të ngrenë një përmendore për polakët”, shkruante gazeta liberale e majtë, “Gazeta Wyborcza”. Edhe qeveria nacionalo-konservatore e PiS e sheh me sy të mirë projektin. Këtë ka dhënë të kujtojë shumë herë edhe ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz. Por një ide e përkrahur shumë nga qarqet e majta, që të ngrihet një përmendore që të mbledhë të gjithë viktimat europiano-lindore të politikës nacionalsocialiste, refuzohet me këmbëngulje nga Varshava.
“Jo një thes të madh për të gjithë sllavët,” shkruante për FAZ historiani polak, Pawel Ukielski i cili kujton marshimin e ushtrisë sovjetike në Poloni më 17 shtator të vitit 1939, në një kohë kur ushtria sovjetike ishte aleate e Hitlerit.
Qeveria gjermane është për përmendoren polake
Qeveria gjermane është qartë në krah të atyre që luftojnë për të ngritur përmendoren. Për Deutsche Wellen, Ministria e Jashtme tha se në paktin e koalicionit qeveritar në Berlin thuhet se qeveria gjermane përkrah prej kohësh iniciativën e shoqërisë civile për ngritjen e përmendores për Poloninë, në qendër të Berlinit për të kujtuar viktmat polake të pushtimit gjerman 1939- 1945″.
Por fati i përmendores vendoset në parlament. Diskutimet e para në fillim të vitit nuk sollën ndonjë rezultat. Në Poloni polikanët janë duke treguar mungesë durimi.
Bundestagu diskuton
Për t’i dhënë hov debatit, deputetë nga pesë fraksionet parlamentare botuan në fillim të majit një apel në gazetën gjermane “Tagesspiegel”. “Është detyra jonë që të mbajmë gjallë kujtimin e luftës shkatërrimtare gjermane kundër Polonisë dhe pushtimin nazist dhe të krijojmë një hapësirë për kujtesën,” shkruante Alexander Müller (liberal), Dietmar Nietan (socialdemokrat), Thomas Nord (E majta), Manuel Sarrazin (Të gjelbërit) dhe Paul Ziemiak (kristiandemokrat).
Për të mos ndikuar në vendimin për vendin e ngritjes së përmendores, parlamentarët folën në përgjithësi për “një vend kujtese”, një vend të përshtatshëm që t’i drejtohet viktimave të luftës dhe pushtimit të Polonisë.”/DW
Fraksion.com