“Pa gjyqësor të pavarur, s’ka anëtarësim”, Hahn: Shqipëria meriton hapjen e negociatave
“Ballkani Perëndimor është pjesë e pamohueshme e Europës, e cila duhet integruar sa më shpejt”. Këtë mesazh ndau të enjten Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johanes Hahn, në nisje të Samitit për Rajonin që mbahet më 4 dhe 5 korrik në Poznan të Polonisë.
Zyrtari në largim i Bashkimit Europian ftoi homologët e tij të mos hezitojnë ta afrojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në BE, pasi do të dëmtohej kredibiliteti i unionit.
“Unë i qëndroj rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe kam besim që në tetor, Këshilli do të ndjekë vlerësimin tonë pozitiv. Të dyja vendet kanë përmbushur reformat, veçanërisht në fushat e përmendura në qershor 2018”, tha Hahn.
Megjithatë, Hahn apeloi liderët e Ballkanit që të forcojnë institucionet demokratike, marrëdhëniet fqinjësore dhe të bashkëpunojnë më ngushtë nëse aspirojnë familjen europiane. Me këtë rast ai përmendi edhe barrierat tregtare që Kosova ka vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, duke i ftuar palët të zgjidhin mosmarrëveshjet sa më parë.
Ndërsa Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, Genoveva Ruiz Calavera, tha se asnjë vend nuk do të hyjë në BE, derisa nuk është i gatshëm për të, dhe përderisa nuk ka një gjyqësor të pavarur.
Ministri i jashtëm polak, Jacek Czputowicz, ka bërë thirrje për “bashkëpunim më të fuqishëm” midis Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se kjo do të ndihmojë në rritjen e “stabilitetit dhe zhvillimit” të rajonit.
“Europa nuk mund të konsiderohet plotësisht e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor, si në aspektin gjeografik ashtu edhe në atë gjeopolitik, dhe një politikë ambicioze e zgjerimit të BE-së është vendimtare”, tha Czputowicz.
Në nismën diplomatike që organizohet këto dy ditë në kuadër të Procesit të Berlinit të iniciuar pesë vite më parë, do të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kancelarja gjermane, Angela Merkel, si edhe të gjithë shtetarët e vendeve kandidate të Ballkanit.
Fraksion.com