Kremlini: Nuk do të publikojmë hollësitë e zjarrit në nëndetëse
Kremlini njoftoi të mërkurën se për arsye të sekretit nuk do të bëjë publike hollësitë rreth një zjarri që shpërtheu brenda një nëndetëseje ku si pasojë u vranë 14 anëtarë të ekuipazhit.
Incidenti ndodhi të hënën në ujërat territoriale të Rusisë në pjesën veriore të vendit, por ngjarja u bë publike vetëm ditën e martë.
Zyrtarët kanë dhënë pak informacion rreth nëndetëses dhe rrethanave të aksidentit. Sipas njoftimeve në mediat lokale bëhej fjalë për një mini-nëndetëse bërthamore sekrete.
Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha të mërkurën se nga aksidenti kishte të mbijetuar, por nuk e dha numrin e tyre.
“Ky informacion nuk mund të bëhet publik plotësisht. I përket kategorisë së sekreteve shtetërore“, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov.
Ai tha gjithashtu se Presidenti Vladimir Putin ishte informuar menjëherë pas ngjarjes.
“Është krejtësisht normale që ky lloj informacioni të mos bëhet publik“, tha zoti Peskov, duke shtuar se kjo ishte “në përputhje me ligjin e Federatës Ruse”.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 14 marinarët u vranë nga asfiksimi pas zjarrit që shpërtheu në atë që e quajtën “një nëndetëse kërkimore-shkencore për ujërat e thella” e cila po kryente studime rreth tabanit të detit.
Megjithatë gazeta “Novaya Gazeta” e cila citonte burime të paidentifikuara, tha se aksidenti kishte ndodhur në një mini-nëndetëse bërthamore AS-12, e cila kishte aftësi të lundronte në thellësi ekstreme.
Prania e shumë zyrtarëve të rangut të lartë në bordin e nëndetëses lë të kuptohet se ajo nuk ishte me një mision të zakonshëm.
Fraksion.com