AktualitetTë fundit

“Porosia e fundit” godet rrjetin e drogës, 3 të arrestuar në Kavajë

Një operacion i policisë së Kavajës i koduar “Porosia e fundit”, goditi një rast të shpërndarjes së drogës në doza të vogla, duke vënë në pranga tre persona.

Kështu në vijim të informacioneve të siguruara nga uniformat blu, mbrëmjen e kësaj të marte u bë arrestimi i M. K., 23 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë; O. L. 25 vjeç, lindur dhe banues në Divjakë dhe E. M. 39 vjeç, lindur dhe banues në Divjakë.

Si rezultat i operacionit në Kavajë, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin M. K., 23 vjeç, ku gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, iu gjet një sasi prej rreth 1 kg lëndë narkotike kanabis, si dhe një sasi lekësh që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike, dy aparate celulare që përdoreshin për të siguruar klientelë, si dhe një automjet që mundësonte shpërndarjen e lëndës narkotike.

Operacioni më tej ka vijuar në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Divjakë, në fshatin Çermë, ku u bë arrestimi i shtetasit O. L., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit në magazinën e tij afër vendit ku banonte, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi prej rreth 10,7 kg lëndë narkotike kanabis.

Po në kuadër të operacionit, u bë dhe kapja e arrestimi i shtetasit E. M., 40 vjeç banues në Zharnec, Divjakë.

Nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasit O. L., dhe E. M., siguronin lëndë narkotike dhe ia shisnin shtetasit M. K., i cili më pas e shpërndante në doza të vogla, në qytetin e Kavajës.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Kavajës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

 

Fraksion.com