AktualitetTë fundit

KE refuzon Holandën: Nuk rikthehen vizat!

Më 31 maj Holanda dorëzoi zyrtarisht në Komisionin Evropian kërkesën e saj për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.

Një debat i gjatë u zhvillua në Parlamentin holandez për këtë çështje, ndërkohë që më pas u miratua dhe kërkesa e iniciuar nga deputetja Toorenberg.

Në një letër dërguar Eurokomisionerit për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitri Avramopoulos, Robert de Groot përfaqësuesi i përhershëm i Holandës në Bashkimin Evropian, ka paraqitur dhe argumentet e Parlamentit të tij për këtë kërkesë që përmblidhen në tre pika.

Afati për shqyrtimin e kësaj kërkese është një muaj, datë e cila përfundon sot. Një zëdhënës i komisionit europian bën të ditur për tirananews.al se në situatën aktuale, rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”, bën të ditur për tirananews.al zëdhënësi i KE-së.

Ky vendim i Holandës solli mjaft përplasje në Tiranë në sferën politike. Teksa maxhoranca shprehej se nisma është marrë nga deputetë që kanë qenë gjithmonë kundër integrimit, opozita e ka parë si rezultat i nivelit të ulët të luftës kundër krimit, korrupsionit dhe trafikut të drogës.

Vetëm dy javë pas dorëzimit zyrtar të kërkesës së Holandës në Komisionin Evropian parlamenti holandez miratoi dhe qëndrimin zyrtar për çeljen e negociatave për Shqipërinë duke bërë të ditur se janë kundër hapjes së tyre. “Parlamenti i Holandës, në datën 12 të muajit qershor, miratoi një mocion ku i kërkonte qeverisë të mos pranojë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Një vendim nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, që në datën 18 qershor të hapen negociatat e pranimit do të ishte i parakohshëm”, do të njoftonte ambasada holandeze me 12 qershor.

Nëse kërkesa e Holandës do të miratohej atëherë pezullimi i lëvizjes së lirë do të bëhej për një afat prej 9 muajsh dhe gjatë kësaj periudhe Komisioni do të “krijojë një dialog të zgjeruar me shtetin e tretë në fjalë, me qëllim që të korrigjojë rrethanat në fjalë”. /Tirananews.al

 

Fraksion.com