Mbyllen dyqanet në veri; Qeveria hap pika shitëse
Shtatë muaj pasi Qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100 për qind, për mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Mitrovica e Veriut thotë senuk ka më mallra për shitje, veçanërisht produktet e qumështit, miellit, vajit si dhe produkte tjera.
Radosh Petroviq, një përfaqësues i Shoqatës së Afaristëve nga veriu i Kosovës, në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, tha se shitoret u mbyllën për shkak të taksës dhe pamundësisë së biznesmenëve nga veriu i Kosovës për t’u marrë me aktivitetet e tyre.
Ai nuk bëri të ditur se deri kur do të jenë të mbyllura dyqanet, duke thënë se “kjo varet nga situata në terren”.
“Mungesa është vërejtur gjatë shtatë muajve të fundit, por sot ka ndodhur kolaps i plotë, të gjitha shitoret janë mbyllur, edhe ato ushqimore, dhe në shenjë solidariteti janë mbyllur edhe të gjitha shitoret tjera”, ka thënë Petroviq.
Siç tha ai, furrat e bukës do të punojnë me kapacitet të reduktuar dhe buka do të dorëzohet vetëm në spital, në Qendrën e Studentëve dhe në kopshte.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Qeverisë së Kosovës, Endrit Shala, pasditen e së hënës, ka nisur të zbatojë vendimin e ekzekutivit për hapjen e pikave mobile të shitjes në komunat veriore të vendit.
“Këto pika shitëse do të jenë mobile. Do të jenë të vendosura çdo ditë në këto komuna, që qytetarët të kenë mundësi që të furnizohen”, ka thënë ministri Shala, i cili ka shtuar se Qeveria e Kosovës do të kujdeset për të gjithë qytetarët e shtetit të Kosovës, në gjithë territorin e vendit.
Ai gjithashtu e ka akuzuar Qeverinë e Serbisë për politika shoviniste, si dhe për detyrimin e serbëve që t’i mbyllin shitoret e tyre në veri të Kosovës, në mënyrë që, siç ka theksuar ai, të inskenojë një krizë humanitare në Kosovë.
Më herët, autoritetet serbe kanë thënë vazhdimisht se veriu i Kosovës është i kërcënuar nga një “katastrofë humanitare”.
Ndërkaq, autoritetet e Kosovës kanë thënë se ky është vetëm inskenim i një krize humanitare.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar të hënën që ajo që po ndodh në pjesën veriore të vendit nuk mund të quhet krizë humanitare.
“Krizë humanitare nuk ka në Kosovë. Mund të ketë improvizim dhe tendenca të Serbisë, për t’i paraqitur si viktimë qytetarët serbë në veri të Kosovës. Prandaj, është shumë me rëndësi që e gjithë bota demokratike e njeh dhe e kupton realitetin, siç është edhe në veri dhe ky pretendim i ri i Serbisë është i dështuar”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, situatën e në veri të Kosovës, e cilësoi si “simulim i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë”.
“Qeveria e Kosovës mbron qytetarët në veri, duke hapur pikat shitëse në bashkëpunim me bizneset kosovare. Simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit, mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për gjithë qytetarët e saj, pa dallim”, ka shkruar Haradinaj.
Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal e Qeverisë së Kosovës, Adrijana Hoxhiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë që mbyllja e lokaleve të hënën dhe planifikimi që kjo të ndodhë edhe të martën, “është qartësisht protestë e paralajmëruar dhe është e qartë se por çfarë bëhet fjalë”.
“Për sa u përket ditëve të kaluara, ka qenë e dukshme që në shitore mungojnë një numër artikujsh, të cilat më herët kanë qenë në rafte. Kështu që vet kjo situatë është e pakëndshme për njerëzit e thjeshtë. Po, ka pasur mungesa”, ka thënë Hoxhiq.
Megjithatë, siç thotë Hoxhiq, tash për tash, “kjo situatë mund të vlerësohet si krizë humanitare”.
“Se sa do të zgjasë dhe cili do të jetë rezultati i gjë kësaj, këtë nuk e di. Është mirë që e dimë saktë se çfarë do të ndodhë sot dhe nesër dhe kjo është protestë e paralajmëruar. Të shohim se çfarë na pret të mërkurën”, theksoi Hoxhiq.
Ndërkaq, shitoret në vendbanimin e quajtur Lagjja e Bonjakëve, në Mitrovicë Veriore, punojnë. Ky vendbanim gjendet rreth 200 metra në afërsi të qendrës së qytetit. Pronarët shqiptarë të këtyre shitoreve, thonë që serbët nga pjesa veriore, tash për tash, tregtojnë pa ndonjë pengesë.
Në periudhën e fundit autoritetet e Kosovës kanë rritur kontrollin mbi kalimet alternative, të paligjshme, midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat përdoreshin për të transportuar mallrat serbe./REL
Fraksion.com