Plasin intrigat në PD, Berisha kërkon “kokën” e Bashës!
“Rama ik” dhe “Nuk ka zgjedhje pa opozitën”. Këto ishin dy sloganet që Partia Demokratike përdori më tepër në 6 muajt e fundit, nga koha kur braktisi Parlamentin duke djegur mandatet dhe deri në 29 qershor kur me bindje mbrojti bojkotin e zgjedhjeve.
Por ndryshe nga ç’kërkonte Lulzim Basha, zgjedhjet e 30 qershorit u zhvilluan, për më tepër nën hyqmin e Amerikanëve dhe Eruopianëve, të cilët i dolën hapur kundër kreut të PD dhe madje e “kërcënuan” se do t’ia shpallnin partinë organizatë terroriste nëse do të shpërthente dhuna ditën e dielë.
Sot në 1 korrik, Lulzim Basha ka dalë para shqiptarëve si një humbës i madh, pasi ka dështuar në betejën për largimin e Edi Ramës dhe e ka katandisur PD-në në një parti pa zot, e cila ka falur në tavolinë 61 bashki dhe rrezikon të dalë jashtë sistemit duke qenë se nuk është më pjesë e jetës Parlamentare.
Basha po mban mbi supe peshën e një plani të dështuar, më saktë një marrëzie që u ideua, projektua dhe u vendos në zbatim nga Sali Berisha, por që kreut të PD i pëlqeu dhe u duk i duhuri për të rrëmbyer pushtetin në tavolinë.
Por, ashtu siç kemi theksuar në një analizë të botuar një ditë para zgjedhjeve në Gazeta Shqip, nga kjo disfatë Basha s’ka sesi t’i hedhë paq, pasi në selinë blu kanë nisur të ndihen zërat e atyre që duan “kokën” e tij.
Një ndër më kryesorët është mentori i tij politik, Sali Berisha, i cili sot zhvilloi një takim “kokë më kokë” me Bashën për 30 minuta, dhe në dalje nga selia la të kuptohej se ishte më nervoz seç duhej.
Zgjedhjet e 30 qershorit kanë lënë një shije të hidhur te “Doktori”, i cili nga zërat që qarkullojnë prej PD-së po i hedh benzinë zjarrit të revoltës anti-Basha.
Ky shpërthim lidhet me dëshirën dhe bindjen se kreu i PD duhet “sakrifikuar” në këtë kohë të vështirë, edhe pse ishte vetë Berisha ai që e bindi të digjte mandatet e të bojkotonte 30 qershorin, duke çuar partinë drejt shkatërrimit.
Për më tepër, Berisha ka menduar edhe për zëvendësuesin e Bashës.
Teksa prej një javë përflitej emri i ish-Presidentit Bujar Nishani si kandidati më potencial për t’i zënë Bashës vendin e kryetarit, duket se Berisha ka ndryshuar mendje dhe po projekton një rrokadë me Jozefina Topallin si të përzgjedhurën e tij.
Ish-kryetarja e Kuvendit ka dalë sërish në skenën politike, teksa mbrëmjen e djeshme ka sulmuar ashpër Lulzim Bashën për këtë disfatë të aksionit opozitar, që e shpall në një farë mënyre të gjithëpushtetshëm Edi Ramën.
Ndërkohë, sot paradite Jozefina Topalli në kohën kur Berisha takonte Bashën, ka konsumuar një kafe me krahun e djathtë të “Doktorit”, zëdhënësen e tij Erla Mëhilli në një lokal të njohur në zonën e ish-Bllokut.
Të gjitha këto lëvizje, të kombinuara me zërat anti-Basha që kanë nisur të ndihen në ambientin e rënduar politikisht të selisë blu të lënë të kuptosh se Sali Berisha pas 2013-s ka marrë në dorë fatin e PD-së dhe do të zgjedhë largimin si dështak të Bashës nga skena politike, për të mbajtur gjallë një forcë politike që së bashku e çuan drejt shkrirjes./Gazeta Shqip
Fraksion.com