Çfarë duhet bërë kundër rrezikut në rritje nga e djathta?
Vrasja e politikanit Lübcke nga një ekstremist i djathtë ka tronditur politikanët dhe qytetarët. Sipas raportit të entit për Mbrojtjen e Kushtetutës numri i të djathtëve të dhunshëm është rritur. Qeveria do të veprojë.
Ministri i Brendshëm Horst Seehofer (CSU) duket këto ditë i lodhur dhe i zbehtë. Në Bundestag ai bën deklaratën: “Kjo trondit edhe një ministër”. Bëhet fjalë për vrasjen e Walter Lübcke, politikanit të CDU nga qyteti Kassel, që u ekzekutua me një të shtënë në kok nga një ekstremist i djathtë në fillim të qershorit. Vrasje e një politikani e motivuar politikisht nga e djathta.
Ky akt ka tronditur shumë njerëz. Politika është e alarmuar dhe diskuton lidhur me rritjen e rrezikut nga radikalët dhe ekstremistët e djathtë, rrezik që siç thonë disa, injorohet ende. Deputetët në parlamentin gjerman diskutojnë për pasojat e rastit Lübcke. Debati për temë aktuale në parlament nuk u kërkua nga opozita, ishte qeveria që do të japë një sinjal. Titulli i debatit është tashmë edhe program: “Për mbrojtjen e demokracisë sonë – kundër urrejtjes dhe dhunës së djathtë ekstreme”.
„Ne duhet të luftojmë rrjetet”
Ministri i Brendshëm Seehofer, dukshëm i prekur, e merr i pari fjalën. Kundër sloganeve të urrejtjes, antisemitizmit dhe ksenofobisë ai dëshiron një strategji me “Tolerancë zero”. Ai flet për ekstremizmin e djathtë si “një rrezik i madh”, bën thirrje për mospërdorimin e gjuhës që çon në “urrejtje dhe dhunë”. Kjo kërkesë përsëritet vazhdimisht këto ditë në Berlin.
Kritika është një goditje ndaj partisë së djathtë populiste “Alternativa për Gjermaninë” (AfD). Ajo akuzohet nga të gjitha partitë e tjera se me retorikën e saj, me fjalimet dhe kontributet në mediat sociale po nxit klimën e konfrontimit dhe po u përgatit radikalëve të djathtë terrenin, duke hedhur baltë mbi demokratët e angazhuar. Gottfried Curio, zëdhënësi i AfD për politikën e brendshme, nuk dëshiron ta lejojë këtë akuzë mbi vete: “Ndalni akuzat për nxitje të urrejtjes”, mbrohet ai kundër akuzave të të gjitha partive të tjera.
Ekspertja për politikën e brendshme e partisë E Majta, Martina Renner, flet për një “periudhë të marrëdhënieve të reja me agjitatorët e djathtë”. Renner thekson se rreziku i terrorizmit të djathtë është injoruar për shumë kohë dhe është folur vetëm për “doras individualë”: “Nuk ka raste individuale, duhet të luftojmë rrjetet”.
“Për t’i dhënë më shumë forcë sundimit të ligjit”
Jo vetëm në parlament është temë rreziku nga e djathta. Për atë që ministri i Brendshëm Seehofer flet pasdite, jep paradite shifra konkrete. Përpara shtypit ai paraqet në Berlin raportin vjetor të entit për Mbrojtjen e Kushtetutës.
Në raport autoritetet e sigurisë rendisin me saktësi, se si dhe prej kujt janë të kërcënuar Gjermania dhe gjermanët. “Viti 2018 ka treguar sërish se kërcënimet ndaj shoqërisë sonë të hapur janë bërë të ndryshme dhe komplekse”, thotë Seehofer. Dhe shton: “Unë do të bëj gjithçka, që do të thotë se do të shqyrtoj, jo vetëm formalisht të gjitha opsionet, të gjitha mundësitë, për t’i dhënë më shumë forcë sundimit të ligjit”.
Tek ekstremistët e djathtë numri është rritur edhe një herë në krahasim me vitin e kaluar, duke arritur një nivel të ri të lartë”, shton Seehofer. 24.100 ekstremistë të djathtë kanë regjistruar statistikat vitin e kaluar. Një rritje prej 100 personash në krahasim me një vit më parë. Më shumë se një ndër dy ekstremistë të djathtë konsiderohet “i dhunshëm”, thotë ministri i Brendshëm. “Për shkak të afërisë së madhe me armët të spektrit të djathtë ekstrem, këto shifra janë tejet shqetësuese. Prandaj e përmend me qëllim këtë, sepse edhe në këtë pikë kemi një situatë të lartë rreziku.”
Për ekstremistët e djathtë koncepti i armikut janë të huajt, azilkërkuesit, myslimanët, si dhe politikanët. Në rastin Lübcke ministri i Brendshëm Seehofer tha në televizion publik gjerman ARD, se duhet parë gjithçka me kujdes: “A ka njerëz, që dinë më shumë, ka ndoshta bashkëpunëtorë? Apo ndoshta ekziston, e kjo do të ishte më e keqja, një rrjet?”
Ende nuk ka tregues për një rrjet të djathtë
Sipas deklaratave të Prokurororisë gjermane nuk ka të dhëna për këtë, pavarësisht arrestimeve të fundit në lidhje me vrasjen e Lübcke-s. Policia dërgoi në hetuesi dy persona. Kundër tyre po hetohet për ndihmë në vrasje. Dyshohet se ata kanë ndihmuar për të siguruar armët. Policia zbuloi në një magazinë armën e krimit, pistoleta dhe pushkë të tjera. Stephan Ernst, që ka pranuar vrasjen e Lübcke, kishte treguar për vendndodhjen e armëve. Autoritetet përkatëse nuk supozojnë që Ernst dhe të sapoarrestuarit kanë formuar një grup terroristësh të djathtë.
Shenja kundër urrejtjes në internet
Fjalët ndiqen shpesh nga veprat. Në kontekstin e vrasjes me sfond të djathtë ekstremist të Walter Lübcke-s, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas (PSD) dërgon një sinjal. Në hashtagun #eenjtjaedemokracisë ai bëri thirrje që të trajtohen rastet e shumë politikanëve lokalë dhe ndihmësve vullnetarë, që bëhen vazhdimisht pre e urrejtjes në internet.
„Kjo nuk mund të pranohet”, tha Maas në ARD. Në këtë aksion ai ftoi të gjithë grupet parlamentare të Bundestagut, përveç AfD./DW
Fraksion.com