AktualitetBota+Të fundit

Trump dhe Kim takohen në kufirin midis dy Koreve

Donald Trumpi është presidenti i parë në historinë e SHBA që shkeli në territorin e Koresë së Veriut. Së bashku me pushtetmbajtësin Kim Jong Un, ai e kaloi drejt Veriut në zonën e çmilitarizuar.

Presidenti i SHBA Donald Trump dhe kryetari i shtetit i Koresë së Veriut Kim Jong Un u takuan në kufirin midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut. Trumpi është Presidenti i parë në detyrë i SHBA, që hyri në tokën e Koresë së Veriut komuniste. Vijën e demarkacionit ai e kaloi në vendin e quajtur Panmunjom. “Jam krenar që e kam kaluar këtë vijë,” tha presidenti i SHBA. Pastaj, së bashku me Kimin ai kaloi në territorin e Koresë së Jugut, ku u takuan me Presidentin Moon Jae In. Pasoi një bisedë me dyer të mbyllura.

Përsëri bisedime rreth konfliktit bërthamor

Trumpi dhe Kimi ranë dakord që t’i rinisin bisedimet mes dy vendeve. Në javët e ardhshme, do të ngrihen grupe pune në të dyja anët. Grupin e SHBA do ta krijojë Ministri i Jashtëm Mike Pompeo. Shtetet e Bashkuara të Amerilës kërkojnë çarmatimin e plotë bërthamor të Koresë së Veriut. Përveç kësaj, SHBA dhe Koreja e Jugut synojnë të arrijnë një marrëveshje zyrtare për paqen në Kore. Trumpi nuk bëri të ditur se për çfarë hollësish duhet të flasë fillimisht grupi i punës. Ai bëri të qartë se sanksionet e gjera kundër Koresë së Veriut mbeten në fuqi. Veç kësaj, në takimin në Panmunjom ai e ftoi në Uashington pushtetmbajtësin e shtetit komunist.

Kim: Inisiativa e Trumpit një “akt shumë i guximshëm”

Trumpi theksoi në mënyrë të përsëritur marrëdhënien e tij personale të mirë me Kim. “E pëlqyem njëri-tjetrin që ditën e parë”, tha presidenti amerikan. Kimi gjithashtu e përshkroi si “të shkëlqyer” marrëdhënien e tij personale me Trumpin. Në përshëndetje, ai i tha presidentit amerikan se gëzohet që e takon përsëri. Ai nuk e kishte pritur që ta takonte ndonjëherë në këtë vend. Shtrëngimi i duarve ka “rëndësi të madhe për paqen”, tha Kimi më tej. “Ne do ta lëmë pas të kaluarën dhe do të shkojmë drejt së ardhmes,” theksoi ai. Ai e përshkroi inisiativën e Trump-it për takimin si një “veprim shumë të guximshëm”.

Ky ishte takimi i tretë i dy politikanëve. Në samitin e parë të Trumpit dhe Kimit në Singapor në qershor 2018, Koreja e Veriut në parim ra dakord për çarmatimin bërthamor. Por atëherë nuk u ra dakord për hapa konkrete. Një takim i dytë në Hanoi në shkurt dështoi sepse nuk kishte asnjë lloj afrimi; që atëherë, bisedimet bërthamore midis Uashingtonit dhe Phenianit kanë ngecur. SHBA kërkon nga Koreja e Veriut të heqë dorë nga armët bërthamore, Koreja e Veriut dëshiron heqjen e sanksioneve. Vetëm pak ditë më parë, udhëheqja e Phenianit kishte kërkuar më shumë vullnet të mirë nga Shtetet e Bashkuara. Hapësira kohore për bisedime të reja, u tha zvogëlohej./’ DW

 

Fraksion.com