“KQZ gënjen”; PD: Pjesmarrja 10% deri në orën 15:00 pasdite
Partia Demokratike ka përgënjeshtruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me pjesëmarrjen në votime.
“Operacioni më i madh që po kryen Rama sot është falsifikimi. KQZ është në krye të këtij operacioni, duke mashtruar për numrin e vërtetë të atyre që kanë votuar. Pjesëmarrja faktike ka qenë 6% deri në orën 11:00.
Pjesëmarrja deri në orën 15:00 është 10%. KQZ është një vegël e paligjshme në duart e Ramës. Paniku i Ramës duket qartë, askush nuk mund ta fshehë braktisjen e tij”, u shpreh Kaso.
DEKLARATË E SEKRETARIT PËR ÇËSHTJE ZGJEDHORE NË PD, IVI KASO
Operacioni më i madh që po kryen Edi Rama gjatë gjithë ditës së sotme është falsifikimi i pjesëmarrjes në votimet e tij njëpartiake dhe të paligjshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në krye të këtij operacioni manipulimi, duke mashtruar shqiptarët dhe partnerët për numrin e vërtetë të atyre që kanë votuar.
Nga monitorimi i të gjitha qendrave të votimit, ka rezultuar se pjesëmarrja faktike në rang vendi deri në orën 11 ka qenë 6 përqind dhe jo 12 përqind sic raportuan kamikazët e KQZ.
Pjesëmarrja faktike deri në orën 3 pasdite është 10 për qind.
Partia Demokratike paralajmëron kamikazët politikë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të mos i shkojnë deri në fund planit për falsifikimin e pjesëmarrjes.
Lojërat e pista me telefona të prishur nxjerrin zbuluar paligjshmërinë e kësaj KQZ-je me 4 anëtarë të PS në shkelje të ligjit.
Arsyeja se pse KQZ nuk evidenton, ndalon dhe raporton shkeljet flagrante të ligjit, që nga votuesit shëtitës që votojnë disa herë, deri tek komisionet e votimit me nga 1 anëtarë që mbushin kutitë e votimit, që nga votimi në grup deri tek votimi i hapur, raste të gjitha të denoncuara nga media, është sepse KQZ-ja është një vegël e paligjshme në duart e Edi Ramës dhe në shërbim të farsës së gatuar prej tij.
Megjithëse vetë kandidon, vetë voton, vetë numëron dhe vetë shpall rezultatin, paniku i Edi Ramës duket qartë. Asgjë dhe askush nuk mund ta fshehë braktisjen dhe refuzimin e tij.