Europa ime: Oligarkët në politikën e Europës Lindore e Juglindore
Në Lindjen e Juglindjen e Europës, oligarkët krijojnë pushtetin ose pushteti krijon oligarkë. Fondet e BE e përforcojnë këtë fenomen. Ka ardhur koha që t’i jepet fund kësaj praktike.
Nga Boris Kálnoky
Prej javësh protestojnë qindra mijëra çekë kundër kryeministrit të tyre, Andrej Babis. Ai është edhe një nga njerëzit më të pasur të vendit. Por si u bë i pasur Babis? Që në kohën e komunizmit, si anëtar partie ai ka qenë menaxher i firmës shtetërore çekosllovake për tregtinë e jashtme, Petrimex. Me këshillën e tij, Petrimex krijoi një sipërmarrje të re, Agrofert, që u ble pastaj nga investitorë zviceranë jo me nam të mirë, miq të vjetër, si i ka quajtur Babis. Shumë shpejt, Babis u bë pronari i vetëm i firmës. Ai bleu media dhe u fut në politikë. Tani Babis e shoqërojnë akuzat për mashtrim fiskal, dyshim për mashtrim me subvencionet dhe për mospërdorimin e drejtë të fondeve të BE-së në kohën që ishte ministër Financash dhe kryeministër – prokuroria çeke është duke hetuar nga fillimi i qershorit.
Andrej Babis mishëron mënyrën, se si bëhet politikë në Europën Lindore dhe Juglindore. Paraja është pushtet, kush ka para dëshiron pushtet dhe kush ka pushtet, e di që për ta siguruar atë i duhet para. Për shembull duke blerë media. Pas rënies së sistemit komunist, më shpejt e më mirë e kuptuan këtë komunistët që ndryshuan pllakën. Pasuria shtetërore dhe partiake përmes rrugëve të dyshimta u bë pronë private, të pasurit e rinj ishin komunistët e vjetër, dhe ata e përdorën këtë para për të qëndruar në pushtet me vite, si në Rumani apo Bullgari.
Tendera besnikëve
Partitë e reja që u ngjitën në pushtet pas tyre, dhe që e përcaktonin veten si konservatore qytetare, (si partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orban) e mësuan shpejt, se si bëhen punët. Edhe ato pastaj krijuan oligarkët e tyre, duke u dhënë tendera shtetërorë besnikëve të tyre, duke u dhënë edhe shije me erëzat e subvencioneve të BE.
Ne në Hungari kemi oligarkët tanë, në gjuhën e popullit njëri prej tyre quhej “instalatori kombëtar i gazit”, Lörinz Meszaros. Më parë ai kishte një firmë që riparonte vetëm tubacionet e gazit. Meszaros ishte një mik i vjetër i Orbanit. Sot, ai është si Babis, njeriu i dytë më i pasur në Hungari. Por ka një dallim me Babis. Çeku e ushtron pushtetin e tij, Meszaros nuk ka pushtet dhe e di vendin që duhet të mbajë falë Viktor Orbanit. Miku i tij i fëmijërisë, Lajos Simiscska u përpoq njëherë: Ai ka qenë njeriu që i ofronte para partisë, deri sa u përplas me Orbanin. Tani askush nuk dëgjon më për Simiscskan. Gjithsesi: Tek ne në Hungari nuk e përcaktojnë oligarkët politikën, por politika përcakton oligarkët.
Një nga rrënjët e së keqes oligarkike janë edhe fondet e e ashtuquajtura “fonde të kohezionit të BE (një fond i krijuar nga BE për zgjerimin e infrastrukturës rrugore dhe mbrojtjen e mjedisit në vendet më të dobëta ekonomikisht të BE, shën. red.) Ideja bazë e Brukselit ishte që përmes këtyre fondeve të afrohej niveli ekonomik i vendeve më të varfra të BE me ato më të pasura, prandaj edhe fjala “kohezion”. Me këtë konvergjencë do të duhej të kishte edhe afrim vlerash: Demokraci, treg i lirë, ekonomi, shtet ligjor.
Në vendet e Europës Qendrore e Lindore kjo është parë më me vëmendje dhe është arritur në përfundimin, se një pjesë e madhe e këtyre mjeteve që shpesh jepen për projekte infrastrukturore, në fund rrjedhin prapë tek koncernet e mëdha europianoperëndimore, që kanë kapacitetet teknike e konkurruese për të fituar këto konkurrime publike. Pra pjesërisht është një para që vetëm në fillim shkon drejt Lindjes, por dikur rikthehet në Perëndim.
Konvergjenca e vlerave nuk funksionoi
Në këtë kuptim epidemia e oligarkëve europianoqendrorë është në një kuptim edhe një përpjekje për t’i mbajtur këto fonde në vend. Për shembull në Hungari u mbështetën hapur me qëllim biznesmenë politikisht besnikë që të forcoheshin si afaristë duke marrë në mënyrë jo proporcionale porosi shtetërore. Orbani flet për “neomerkantilizëm” – kjo ka qenë një fazë ekonomike në historinë europiane, në të cilën u ngritën industritë vendase me masa proteksioniste. Nëse do doje ta quaje kështu, ky është një lloj “korrupsioni patriotik”.
Personalisht nuk e vlerësoj, dhe nuk besoj, se në plan afatgjatë kjo i shërben një ekonomie konkurruese, nëse energjitë përqëndrohen në marrjen e subvencioneve. BE vetë duket, se ndërkohë ka kuptuar, se e gjithë ideja e konvergjencës së vlerave nuk funksionon – në buxhetin e ri të BE, vendet më të varfra nuk do të subvencionohen në këtë formë, por vetëm ato “korrekte politikisht”, pra kush pranon refugjatë.
Le ta mbyllim rubinetin e fondeve të BE. Ky është një mjet, që e bën Brukselin më të rëndësishëm, se sa duhet të jetë dhe i dobëson strukturat ekonomike dhe politike në shumë vende anëtare. Ne në Europën Lindore gati jemi bashkangjitur me Perëndimin edhe falë këtyre fondeve. Por ka ardhur koha që ta presim këtë kordon lidhës. Koha për të zhvilluar një kulturë sipërmarrjesh që shpërblen idetë inovative dhe guximin, e jo etjen për pushtet dhe besnikërinë politike./DW
Boris Kálnoky, lindur në vitin 1961, raporton si korrespondent nga Hungaria për gazetën gjermane “Die Welt” dhe media të tjera gjermane.
Fraksion.com