AktualitetBota+Të fundit

Bisedimet SHBA – Kinë do të vazhdojnë për një kohë të gjatë

Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë Larry Kudlow tha se rifillimi i bisedimeve të tregtisë ndërmjet SHBA dhe Kinës “është një punë shumë e madhe”, por pranoi se nuk ka një perspektivë të menjëhershme për një marrëveshje midis dy ekonomive më të mëdha të botës.

“Bisedimet do të vazhdojnë për një kohë të gjatë,” tha zoti Kudlow në një intervistë për televizionin “Fox News” të dielën.

Ai tha se të dy vendet kishin arritur mirëkuptim për 90 për qind të një marrëveshjeje që po diskutonin deri në fillim të majit, para se bisedimet të ndërpriteshin për 7 javë. Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping ranë dakord të shtunën për të rifilluar negociatat, kur ata u takuan në takimin e Grupit të 20-ës në Japoni.

Duke folur të shtunën në një konferencë për shtyp në mbyllje të takimit të G20-tës në Osaka të Japonisë, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të punojnë së bashku për të rifilluar negociatat për arritjen e një marrëveshjeje tregtare.

Presidenti Trump tha gjithashtu se do t’i lejojë kompanitë amerikane t’u shesin produkte kompanisë Huawei, gjigandit kinez të telekomunikacioneve për të cilin komuniteti amerikan i zbulimit ka paralajmëruar se mund të rrezikojë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Këshilltari ekonomik i Presidentit Larry Kudlow tha se ai “e kupton që ekzistojnë shqetësime për sigurinë për shkak të shitjeve së produkteve ndaj kompanisë Huawei, por ne do të tregohemi të kujdesshëm”, duke shtuar se lehtësimi i shitjeve ndaj kompanisë kineze nuk përbën një amnesti të përgjithshme ndaj kompanisë.

“China Daily”, e përditshmja në gjuhën angleze që Pekini shpesh përdor për të transmetuar mesazhe, është pajtuar me vlerësimin e zotit Kudlow se një marrëveshje tregtare nuk është dhe aq pranë.

Pas përfundimit të takimit të G-20-ës Presidenti Trump vuri në dukje “marrëdhënien e shkëlqyer” me zotin Xi dhe tha se “duam të bëjmë diçka për ta ngritur edhe tregtinë në këtë nivel. Mendoj se është diçka që arrihet lehtësisht”.

 

Fraksion.com