Vdes Luis Alvarez, detektiv i policisë së Nju Jorkut gjatë 11 shtatorit 2001
Një drejtues i betejës për përfitime shëndetësore të personelit të emergjencës, i cili u përgjigj në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara vdiq sot pas një sëmundje të kancerit.
Detektivi i policisë së qytetit të Nju Jorkut, Luis Alvarez vdiq nga kanceri i zorrës së trashë të shtunën, njoftoi familja e tij në një postim në Facebook.
53-vjeçari Alvarez u paraqit përkrah komedianit amerikan dhe aktivistit politik Jon Stewart përpara një nënkomisioni të drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve më 11 qershor për të apeluar për një zgjatje të Fondit të Kompensimit të Viktimave të 11 Shtatorit.
Në një gjendje të brishtë Alvarez i tha panelit: “Ky fond nuk është një biletë për në parajsë, është që t’i sigurojmë familjet tona me kujdes shëndetësor”. Ai vazhdoi duke thënë: “Të gjithë ju thatë se nuk do ta haronit kurrë. Epo, unë jam këtu për t’u siguruar që nuk e keni harruar”.
Alvarez u diagnostikua me kancer në vitin 2016. Sëmundja e tij u zhvillua në tre muajt që ai kaloi në kërkim të të mbijetuarve në rrënojat toksike të kullave binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë që u shkatërruan nga sulmet terroriste.
Ai u shtrua në një spital në Long Island të Nju Jorkut brenda pak ditësh nga dëshmia e tij në Kongres.
Legjislacioni për të rifinancuar fondin e kompensimit prej 7.3 miliardë dollarësh që siguron përfitime shëndetësore për oficerët e policisë, zjarrfikësit dhe personelin e tjerë të emergjencës u miratua në mënyrë unanime në Kongres.
Qeveria federale e krijoi fondin në vitin 2011 për të kompensuar punonjësit e emergjencave dhe familjet e tyre për vdekje dhe sëmundje që lidhen me ekspozimin ndaj lëndëve toksike./VOA
Fraksion.com