AktualitetLife StyleTë fundit

Temperaturat e larta, këshillat e kardiologes: Shmangni ecjet në këto orare

Temperaturat e larta në jo pak raste janë shkaktarë të atakëve kardiake, duke sjellë edhe humbje të jetës. Vetëm në javën e fundit tre persona kanë humbur jetën në plazhe për këtë arsye. Në një prononcim për Report TV, kardiologia Anila Shahini thotë se me rritjen e temperaturave është rritur dhe fluksi I vizitave tek kardiologu.

” Të moshuarit pa diskutim që janë mosha më delikate, sa i përket moshës si faktor risku por edhe faktit që është grupmoshë që mund të kenë një kompleks problemesh. Në këto kushte pa diskutim që janë më të predispozuar për ta patur ç’rregullime të sëmundjes bazë në stinën e verës. Kështu që në këtë grup moshë këshillojmë që kontrollet rutinë të jenë sa më korrekte” ka thënë Shahini.

Një ndër arsyet kryesore për problemet e zemrës gjate verës, shpjegon Kardiologia Shahini, është mungesa e aktivitetit fizik gjate vitit dhe kompensimi I tij gjate verës

“Duke u përpjekur që në verë të kompensohet ai aktivitet fizik i munguar gjatë vitit, bëhet më shumë aktivitet fizik sa i përket sporteve të ndryshme, kryesisht notit. Por një individ që mund të ketë ngushtim të enëve të gjakut të zemrës, pa simptoma deri në këto momente dhe nuk e di, mund të qëllojë që ky aktivitet fizik më i shtuar të shfaqë simptoma por edhe probleme më kritike” ka shtuar më pas Shahini.

Kardiologia, Anila Shahini ka shpjeguar dhe disa nga sëmundjet që shkaktohen më tepër nga temperaturat e larta në verë

“Vera është e tillë që te kardiologu, te mjeku i zemrës, vijnë më shumë persona të cilët janë të njohur me sëmundje kronike të zemrës dhe veçanërisht ata që vuajnë nga insuficienca kardiake apo ulje e funksionit të zemrës. Çrregullimet e ritmit favorizohen më shumë nga humbja e lëngjeve apo dehidrimit. Këta njerëz kanë nevojë të edukohen më shumë për sa i përket mënyrës së ushqyerjes apo ekspozimit në diell” thotë ajo.

Shqiptarët kanë filluar ti kushtojnë më shumë rëndësi shëndetit të tyre, duke bërë kontrolle më të shpeshta tek kardiologu. Po ashtu dhe të rinjtë kërkojnë më shumë informacione rreth shëndetit të tyre, veçanërisht për sëmundjet e zemrës.

Këshillohet që për moshat e treta në këto ditë të nxehta të mos qëndrohet jashtë pas orës 11:00, si dhe të konsumohen sa më shumë lëngje dhe ushqime të freskëta të pasura me elektrolit.

Me rëndësi të veçantë është dhe shmangia e ushqimeve të thata, me yndyrë dhe sheqerna të tepërta./shqiptrarja.com

 

Fraksion.com