AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Trump i ofron Kim Jong Un-it të takohet në zonën e çmilitarizuar

Presidenti Donald Trump thotë se ai është i gatshëm të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në zonën e çmilitarizuar që ndan dy Koretë, “vetëm për të shtrënguar duart dhe për t’u përshëndetur.”

Presidenti Trump e bëri ofertën në Twitter vetëm disa orë përpara mbërritjes në Korenë e Jugut të shtunën.

“Kur të jem atje, nëse Kryetari Kim i Koresë së Veriut e sheh këtë, do ta takoja atë në Kufi / DMZ vetëm për t’i shtrënguar dorën dhe për t’i thënë Hello (?)!” tha presidenti Trump.

Duke folur për gazetarët në samitin e G20 në Japoni, Trump tha se vendosi të shtunën në mëngjes për të ofruar ftesën për të takuar udhëheqësin Kim, duke shtuar se një takim i tillë do të zgjasë vetëm për dy minuta.

“Ne do ta shohim njëri-tjetrin për dy minuta,” tha presidenti Trump. “Kaq kemi mundësi. Por do të mjaftojë.”

Presidenti Trump më vonë tha se do të ndihej “shumë rehat” të kalonte kufirin në Korenë e Veriut. Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte hera e parë që një president amerikan në detyrë viziton Korenë e Veriut.

Kim nuk i është përgjigjur ofertës së presidentit Trump. Por zëvendësministri i jashtëm i Koresë së Veriut, Choe Son Hui, e quajti ftesën një “sugjerim interesant”./VOA

 

Fraksion.com