Policia hap shkollat që kyçën bashkitë e djathta
Kryebashkikët demokrat të Shkodrës, Pogradecit dhe Mallakastrës i kanë vendosur drynin KZAZ-ve, të cilat ndodhën në ambientet e shkollave apo kopshteve të fëmijëve, pronë e Bashkive që ata drejtojnë. Në Shkodrën bastion të demokrateve ,u raportua gjatë paradites se ishin rrethuar me zinxhirë shumica e institucioneve arsimore në varësi të Bashkisë.
Pas hapjes së këtyre institucioneve me force, ka reaguar edhe kryebashkiakia e Shkodrës, Vlotana Ademi, e cila e quan ndërhyrjen e policisë në këto institucione, si të jashtëligjshme.
“Këto veprime të pastra diktatorialo-politike, për hapjen e dhunshme me thyerje e dëmtim të institucioneve publike, po dhunojnë haptas dhe ditën për diell vlerat demokratike. Gjithashtu janë duke njollosur të drejtën e votës së lirë, të pa manipuluar, të barabartë apo të blerë nga mafia”, thotë kryebashkiakia e Shkodrës në reagimin e saj.
Ndërkohë në Shkodër tentative për të hyrë në shkollat e mbyllura nga administrate lokale, është duke vijuar edhe në orët e vona të mbrëmjes, ku mbështetësit e Partisë Socialiste janë duke përdorur edhe gur freksbël për të hapur derën e shkollës ‘Kolë Idromeno’.
Mbylljen e KZAZ- ve Kryebashkiakët e djathtë e justifikojnë vendimin me dekretin e presidentit por, policia ka nisur arrestimet në flagrancë të punonjësve të bashkisë, të cilët kanë mbyllur shkollat , për veprën penale pengim i subjekteve zgjedhore, kryer në bashkëpunim.
Në Mallakastër raportohet se janë arrestuar 2 punonjës si dhe nënkryetari i bashkisë është shpallur në kërkim. Në Ballsh ka rënë në pranga roja i shkollës së qytetit. Në Shkodër nuk ka njoftime për të arrestuar, ndryshe nga sa ka ndodhur në Pogradec ku janë arrestuar dy punonjës.
Krahas incidenteve të shënuara këtë të shtunë, ka vijuar shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ drejt qendrave të votimit. Në Lushnje dhe Fier kutitë dhe fletët e votimit janë shpërndarë në praninë e forcave të policisë, ndërkohë puna ka vijuar normalisht .
Sipas KZAZ- së, në Qarkun e Shkodrës, rezulton se rreth 50 % e qendrave të votimit vazhdojnë ende të mbahen të mbyllura nga autoritet vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje kryetares së Bashkisë Shkodër të bashkëpunojë në respekt të ligjit, duke shtuar se këto veprime përbëjnë vepër penale.
Fraksion.com