Pengesa të reja për pasaportën gjermane
Rregulla të reja për pasaportën gjermane – Reformimi i ligjit gjerman për shtetësinë synon kryesisht terroristët, martesat e shumëfishta dhe ata që gënjejnë për identitetin. Një vështrim mbi ndryshimet dhe reagimet.
Sipas qeverisë gjermane, dikush që i bashkohet për shembull Shtetit Islamik, dëshmon, “se i ka kthyer shpinën Gjermanisë dhe vlerave bazë të saj”. Me anë të kësaj reforme koalicioni qeverisës synon të trembë ata që duan të shkojnë nga Gjermania në territoret e IS-it, si dhe mbështetësit e IS me pasaportë të dyfishtë.
E ashtuquajtura “rregullore e humbjes së shtetësisë” zbaton një vendim nga marrëveshja e koalicionit qeveritar, që i referohet në mënyrë eksplicite operacioneve luftarake në të ardhmen, e nuk mund të zbatohet në rastet e ndodhura në të shkuarën dhe nuk vlen për të miturit. Të alarmuar nga numri i lartë i shtetasve gjermanë, që iu bashkuan organizatës terroriste, qeveria gjermane fillimisht donte të ndryshonte vetëm këtë pasazh në ligjin e shtetësisë.
Si shembull u morën Britania e Madhe dhe Australia, ku xhihadistëve tashmë mund t’u hiqet pasaporta. Megjithatë, Stephan Thomae, zëvendëskryetar i grupit parlamentar të FDP, paralajmëron nga rreziku “i një gare mes shteteve, që fillimisht tërheqin shtetësinë e tyre dhe i ikin kështu përgjegjësisë”.
Filiz Polat, zëdhënëse për migracionin dhe politikën e integrimit tek të partia ambientalishte, Të Gjelbrit, sheh probleme me ndjekjet penale: “Kështu krimet ndërkombëtare dhe shkeljet serioze të të drejtave të njeriut nga luftëtarët e IS-it mund të mbeteshin pa u pandëshkuar”. Korniza e duhur për akte të tilla nuk është ligji i shtetësisë, por “e drejta penale ndërkombëtare ose e drejta penale gjermane.”
2. Të huajt e martuar me më shumë se një person përjashtohen nga marrja e shtetësisë gjermane.
Poligamia, pra martesa me disa partnerë, është e ndaluar në Gjermani. Ligji i ri do të pengojë hyrjen e martesave të shumëfishta përmes derës së pasme – pra që t’u jepet shtetësi njerëzve, që janë martuar disa herë jashtë vendit.
“Kjo është më normalja në këtë botë” shprehet lidhur me paragrafin e ri nënkryetari i fraksionit të Unionit, Thorsten Frei. “Nëqoftëse, si në rastin e martesave të shumëfishta, ka tregues shumë konkret se nuk ka inkuadrim në kushtet gjermane të jetesës, atëherë nuk mund të jepet shtetësia gjermane.”
3. Autoritetet mund të revokojnë nënshtetësinë në vend të 5 tani edhe pas 10 vjetësh, nëse janë bërë të dhëna të gabuara.
Sipas policisë, gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015, më pak se një ndër tre azilkërkues ka mundur të tregojë pasaportën. Nga kontrollet e papritur të bëra në disa lande gjermane prej vitit 2016 janë zbuluar shumë pasaporta të falsifikuara. Vitet e fundit disa refugjatë kanë thënë se janë sirianë, me qëllim që të kenë një shans më të mirë për të qëndruar në Gjermani.
“Kjo zgjatje e afatit nuk është e menduar mirë”, ankohet politikani i FDP, Stephan Thomae, sepse ai që aplikon për shtetësi gjermane, jeton së paku prej tetë vjetësh në Gjermani. Përveç kësaj zëvendëskyetari i grupit parlamentar kritikon: “Dikë, që është integruar mirë, ta privosh nga një pozicion i tillë kaq qenësor, siç është shtetësia, është e tepruar.”
Filiz Polat e partisë ambientaliste, Të Gjelbrit, shkon edhe më tej: “Përveç rezervave konstitucionale kundër dyfishimit të afatit, ky është një sinjal irracional dhe disintegrues për ata, që u është dhënë shtetësia. Për dhjetë vjet rresht që gjithë personat, që kanë marrë shtetësinë gjermanë, mbeten ende gjermanë me kusht.”
4. Marrja e shtetësisë varet edhe nga “Inkuadrimi në kushtet gjermane të jetesës”.
Deri tani të huajave dhe të huajve u është dhënë pasaporta gjermane, nëse ishin në gjendje të dëshmonin, se kanë qëndruar së paku tetë vjet legalisht në Gjermani, kanë njohuri të mjaftueshmle gjuhësore, dhe sigurojnë jetesën. Kërkesa e re është formuluar në lidhje me martesat e shumëfishta, por lë shumë hapësirë për spekullime.
“Ky formulim sinjalizon një hap të qartë prapa”, kritikon Tarik Tabbara, profesor i së Drejtës Publike në shkollën e larte për Ekonomi dhe Ligj në Berlin. Ai të kujton “rregullat e viteve 1950, kur natyralizimet duhet të ndodhnin vetëm në raste të jashtëzakonshme, nëse ishin në interes të shtetit dhe jo si kërkesë e personit në fjalë.”
Juristi sheh që tani “një hapësirë relativisht të madhe për autoritetet në çështjet e migracionit”. Formulimi i „inkuadrimit në kushtet e jetesës gjermane” është “thjesht një sinjal i qartë dhe zyrat kanë për ta kuptuar në këtë mënyrë”. Për Tabbara reforma është “më shumë se vetëm një ndryshim i vogël, që i bëhet ligjit për shtetësinë.” Ajo tregon edhe „frymën e një politike disi restriktive.”
Edhe Aziz Bozkurt, kryetar i shoqatës për Migracionin dhe Diversitetin në PSD, nuk mund ta kuptojë përfshirjen e këtij pasazhi dhe e cilëson atë si një “paragraf të kulturës superiore”, që përshtatet me gjendjen aktuale, të nxitur nga populistët e djathtë”. Përkundrazi, thotë ai, Gjermania duhet të reduktojë pengesat shumë të larta për emigracionin, ai përmend shembullin e Kanadasë: “Ky është një vend emigracioni, ku mund të marrësh shtetësinë pas tre vjetësh.”
Daniel Thym, profesor dhe ekspert për të drejtën e migracionit në Konstancë, është i befasuar nga diskutimi i ashpër për ligjin. “Këtu nuk bëhet fjalë për një ndryshim rrënjësor të politikës së migracionit”, analizon juristi. Klasifikimi në kushtet gjermane të jetesës është tërësisht i verifikueshëm me ligj. Eksperti kërkon që rregullat e reja të integrohen si duhet. Ai lavdëron punën e koalicionit qeveritar „që e trajton këtë temë shumë objektivisht, me përqëndrim dhe pa nervozitet, me qëllim që të mos shfrytëzohet dot nga AfD në opinionin publik.” Konkluzioni i Thyms është shumë zhurmë për asgjë”.
Fraksion.com