Në Tiranë janë të gjithë lakuriq
Nga Lorenc Vangjeli
Halli i Ilir Metës, ndryshe nga sa e sulmojnë kritikët e tij dhe po aq ndryshe nga sa e duartrokasin mbështetësit e tij, nuk ndryshon shumë me hallin e tij të dy vjetëve më parë. Ai ka ndryshuar zyrën dhe mjetet, por marrëzia që ai tenton të zgjidhë e të ngatërrojë njëkohësisht duke qenë dhe vetë pjesë e saj, është identik si në 2017-ën. Edhe atëherë Meta sulej të bindte opozitën e Lulzim Bashës që të hynte në zgjedhje. Por Basha, me këmbëpërplasje në Bulevard dhe tone tenori në çadër, nuk hiqte dorë nga ultimatumin dramatik: Kurrë në zgjedhje me Edi Ramen!
Kur për shumë arsye, kryetari i PD-së futi partinë në qeverinë Rama, ai u armiqësua në skaj me vetë Metën. Nisi një stinë dashurie me Ramën, që si të gjitha dashuritë me shikim të fundit, u shndërrua shpejt në një urrejtje të madhe sepse nuk u celebrua me qeverinë e rradhës. Edhe këtë vit, me tre dekrete të njëpasnjëshëm me të njëjtin objekt, Meta, kësaj rradhe si President Republike, ende nuk e ka të qartë nëse Basha do të hyjë në zgjedhje dhe nuk është i sigurt nëse nuk do të duhet një dekret i katërt.
Kaq mjafton për të kuptuar skenën absurde ku luhet me të gjithë absurditetin e saj drama publike shqiptare, kjo telenovelë me skenar të dobët, regji të keqe, aktorë ku thërret qameti dhe spektatorë fatkeqë sa për t’ju dhimbsur edhe gurit.
Ndryshe nga gjithë bota e qytetëruar që zgjedhjet i përdor për të zgjidhur kriza, Shqipëria hyn në krizë sa herë që i duhet të bëjë zgjedhje.
Të gjithë, edhe maxhoranca, edhe opozita, janë bashkaksionerë të kësaj monstre që ka çmendur shqiptarët. Por me përqindje shumë të ndryshme. E majta dhe e djathta sillen si shkak-pasojë të njëra-tjetrës duke ndikuar tek njëra-tjetra dhe duke denatyruar rolin e njëra-tjetrës.
Në demokraci, qeverisja duhet të jetë normalisht problemi, por nga momenti që opozita u vetëpërjashtua nga sistemi, ajo vetë u shndërrua në një problem për t’u zgjidhur. Problemet zgjidhen me zgjedhje dhe këtë e thotë çdo manual fillestar i demokracisë, që periodicitetin e tyre e ka tabu të paprekshme. Por opozita i bojkoton edhe ato. Nga frika se do të vidhet vota. A thua se gjithë shpura socialiste e akuzuar për akte të tilla, nuk ka siamezët e saj identikë në PD, LSI apo PDIU, a thua se banditët mavi nuk kanë veshur e zhveshur sipas nevojës së tyre, fanelat e gjithë spektrit politik në vend, për turpin e të gjithë spektrit politik vendas dhe si një mëkat i shtrirë mbi të gjithë.
Kujt i duket se po luhet akti i parë i një drame të re në Tiranë, mjafton të rikujtojë deklaratat e socialistëve në dimrin e 2011-ës apo dhe të 2013-ës për të kuptuar se frikërat e Bashës sot janë identike me ato të Ramës dje, se makthet e Palokës për votën nuk ndryshojnë nga ato të Taulantit për votimin, se alarmet e Flamurit nuk kanë diferencë nga ankthet e Pandit të ish-opozitës, e kështu me rradhë, kur secila Albanë, Joridë e Gridë nga një anë, ka Elisën, Blerinën apo Likën e anës tjetër.
Eshtë Shqipëria e sotme një diktaturë nën Edi Ramën apo ka qenë e tillë dje me Sali Berishën? Vështirë të thuhet një gjë e tillë sa kohë që “diktatori” i rradhës lutet për votim dhe vetë opozita tenton të shmangë votimin. Normalisht duhet të ishte e kundërta, por në rendin e gjithë ngjarjeve të kthyera kokëpërmbys në Shqipëri, edhe ky është një detaj më shumë që plotëson puzzle-n qesharak të absurdit të madh. Ndaj të gjithë në Tiranë, që nxitojnë të meren me pasojën, e kanë shumë të vështirë të kuptojnë se cili është shkaku real i krizave të paprera politike në vend. Që të kuptohet një gjë e tillë, nuk duhet shumë mençuri. Duhet vetëm pak pafajësi fëmije që të kuptohet se agallarët meskinë dhe bejleruçinat provincialë të politikës shqiptare janë tëresisht lakuriq. Njëlloj si në përrallën e famshme të Andersenit. Por me një ndryshim fatal: përrallat kanë zakonisht fund të lumtur dhe të mirët fitojnë gjithmonë. Në realitetin shqiptar, të paktën deri më tani, të këqinjtë, hipokritët naivë dhe budallenjtë e padobishëm, horrat e rrugës që tentojnë të sillen si zotërinj në zyra dhe zotërinjtë që sillen me rregulla rruge janë ngjitur lart dhe kanë mbetur lart duke i zgjatur jetën njëri-tjetrit. Qoftë kur betohen për luftë, qoftë kur vendosin të bëjnë paqe me njëri-tjetrin. /JavaNews
Fraksion.com