AktualitetBota+Të fundit

Tillerson: Pas shpinës sime zhvillohej diplomaci e fshehtë

Ish-Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson i tha Kongresit amerikan se një takim i sikletshëm me dhëndrrin e Presidentit Donald Trump në një restorant të Uashingtonit është shembulli i diplomacisë që zhvillohej pas shpinës së tij kur ai ishte në krye të Departamentit të Shtetit.

Tillerson i tha Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve se një ditë, kur ishte Sekretar i Shtetit, ai rastësisht shkoi të hante në të njëjtin restorant ku po darkonte privatisht zoti Kushner me sekretarin e jashtëm të Meksikës, i cili ndodhej në kryeqytet pa dijeninë e kryediplomatit amerikan.

Tillerson tha se ai mundi të shohë se si zyrtarit meksikan i ndryshoi ngjyra e fytyrës kur ai e përshëndeti.

Ish-kryediplomati amerikan i tha komisionit se zyrtari meksikan ishte “i tronditur”, pasi Departamenti i Shtetit nuk ishte njoftuar për bisedimet e tij me zotin Kushner.

Tillerson dëshmoi privatisht para komisionit muajin e kaluar dhe transkripti i dëshmisë u publikua të enjten. Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të komentojë.

 

Fraksion.com