Parandalohet vrasja në Kamëz, arrestohen dy persona me automatik
Policia e Tiranës thotë se është parandaluar një vrasje e mundshme në Kamëz mesditën e sotme.
Marrja në kohë e informacionit si dhe ndërhyrja me profesionalizëm e forcave të policisë të Komisariatit nr.5, parandaloi përshkallëzimin e një konflikti me armë.
Shërbimet e policisë të Komisariatit Nr. 5 Tiranë, pas marrjes së informacionit se në Valias po ndodhte një konflikt i ashpër midis disa personave, organizuan menjëherë punën dhe me veprimet e shpejta dhe profesionale bënë të mundur parandalimin e mëtejshëm të këtij konflikti duke arrestuar në flagrancë dy persona.
Bëhet fjalë për B.S., 40 vjeç dhe S.S., 39 vjeç , banues në Valias, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” .
Gjithashtu falë veprimeve të shpejta është bërë e mundur edhe bllokimi i armës së zjarrit kallashnikov me dy karikatorë me fishekë, me të cilën dy të ndaluarit, dyshohet se do vrisnin dy shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt.
Po në cilësinë e provës materiale është bllokuar dhe automjeti i autorëve të kësaj ngjarjeje tip ‘Porsche Cayenne’.
Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur ne tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”
Fraksion.com