AktualitetPolitikëTë fundit

OSBE: Dënojmë ashpër sulmet ndaj KZAZ-ve dhe zjarret në shkolla, zgjedhjet të dielën të jenë të qeta

Kryetari i OSBE-së, njëkohësisht ministri për Çështjet Europiane dhe të Jashtme i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Tomas Greminger, kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Përgjithshëm i OSBE-së Roberto Montella, nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë dënuar sulmet e fundit të dhunshme që synojnë organet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve në çdo bashki të Shqipërisë duke dëmtuar shkollat dhe materialet e votimit.

Në deklaratë, ata theksojnë se “tani më shumë se kurrë është e domosdoshme që aktorët shqiptarë të punojnë së bashku për të tejkaluar  pengesën aktuale, për t’u angazhuar në dialog pa kushte dhe për të siguruar që zhvillimi i zgjedhjeve të dielën të jetë i qetë”.

Deklarata e plotë:

“OSBE ka ndjekur nga afër ngjarjet dhe ka nxitur vazhdimisht të gjithë aktorët relevantë që të angazhohen në një politikë konstruktive, të respektojnë proceset demokratike të vendit dhe të tregojnë vetëpërmbajtje. Tani më shumë se kurrë është e domosdoshme që aktorët shqiptarë të punojnë së bashku për të tejkaluar  pengesën aktuale, për t’u angazhuar në dialog pa kushte dhe për të siguruar që zhvillimi i zgjedhjeve të dielën të jetë i qetë. Ne i nxisim të gjitha palët e interesuara që të mbështesin sundimin e ligjit, të respektojnë rolet kushtetuese të institucioneve respektive demokratike dhe të drejtat themelore dhe të shmangin dhunën; edhe autorët edhe nxitësit e akteve të dhunshme duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje institucioneve të zbatimit të ligjit që të përdorin masa shtrënguese proporcionale.

Duke pranuar të drejtën e shqiptarëve për të protestuar me mjete paqësore, OSBE dënon ashpër sulmet e fundit të dhunshme që synojnë organet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve në çdo bashki të Shqipërisë duke dëmtuar shkollat dhe materialet e votimit. Të gjitha kontradiktat politike dhe administrative duhet të zgjidhen në përputhje me sundimin e ligjit dhe proceset ligjore.

Çdo përpjekje për të penguar procesin demokratik përmes akteve të dhunshme vonon progresin e Shqipërisë dhe dëmton reputacionin ndërkombëtar të vendit. Çdo shkelje ligjore lidhur me zgjedhjet, duke përfshirë blerjen e votave, shpërdorimin e burimeve publike dhe ushtrimin e presionit lidhur me zgjedhjet për punonjësit e sektorit publik, duhet të rezultojë me pasoja ligjore.

Duke pasur parasysh progresin e vendit në fushat kryesore gjatë viteve të fundit, të shprehura me miratimin unanim nga të 56 vendet e tjera pjesëmarrëse për t’i mundësuar Shqipërisë për të kryesuar OSBE-në në vitin 2020, ne jemi të bindur se Shqipëria do të jetë në gjendje të bëjë përparim nëse vendi do të nxitet nga një ndjenjë përgjegjësie lidhur me progresin dhe reputacionin e vendit.

Si gjithmonë, OSBE-ja është e gatshme, si një përkrahëse dhe mike, të bashkëpunojë me institucionet kombëtare drejt avancimit të prioriteteve të vendit, në fund të fundit, në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Pas 30 qershorit, OSBE-ja do të mbështesë fuqishëm përpjekjet e riforcuara drejt reformës në vend, duke përfshirë edhe reformën në sistemin gjyqësor, sipas kërkesave dhe aspiratave të popullit shqiptar “

Fraksion.com