Molotov shkollës në Vaun e Dejës, plagosen 3 policë dhe digjen materialet zgjedhore
Sipas policisë janë shoqëruar 9 persona dhe vazhdon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje. Grumbullime ka patur edhe tek shkolla Arben Broci, në Shkodër ku ishin materialet zgjedhore të Shkodrës, por simpatizantët e PD u larguan paqësisht, pa asnjë përplasje apo tentativë për sulm. Tom Doshi, deputeti i PSD-së në Parlament i kërkoi policisë të marrë masa.
Pas deklaratës së policisë ka reaguar menjëherë Gazmend Bardhi i cili deklaroi se asnjë militant i Partisë Demokratike nuk ka djegur KZAZ në Bushat. Në deklaratën e Sekretarit të përgjithshëm të PD-së thuhet se, është një shpifje e Ministrit të Brendshëm, si pjesë e një skenari të parapërgatitur nga Qeveria, për të inkriminuar opozitën. Bardhi i ka bërë thirrje mbështetësve të mos bien pre të këtij skenari dhune, që sipas tij është hartuar me gjakftohtësi nga Edi Rama, dhe që ka disa ditë që po tentohet të vihet në jetë.
Edhe kryeministri Rama ka reaguar pas kësaj ngjarjeje në twiter, duke u shprehur: “Sulmi mbi KZAZ e Vaut të Dejës është shfaqja e egër e dëshpërimit të L.Bashës, M.Kryemadhit, I.Metës dhe S.Berishës, nga fundi i sigurtë me turp ditën e dielë i aventurës së tyre antikombëtare, për të marrë peng zgjedhjet që të marrin peng Shqipërinë #Ndëshkimi do jetë shembullor. As kjo shfaqje turpi dhe asnjë shfaqje tjetër e këtij lloji, nuk e ndal dot më gremisjen e të katër aventurierëve në gropën që hapën për këtë popull e për këtë vend! Kush prek zgjedhjet për llogari të tyre do përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe pasojat e paralajmëruara”, tha Rama.
Fraksion.com