Engel: Klasa politike e Shqipërisë në “qorrsokak”
Kongresisti amerikan, Eliot Engel, njëherësh kryesues i Komitetit për Marrëdhënie më Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, përmes një deklarate u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Shqipëri “të qëndrojnë larg konfrontimit, të tregojnë përmbajtje maksimale dhe të ndalojnë të gjitha aktet e dhunës.”
Engel ka ngritur shqetësim për gjendjen e tensionuar në Shqipëri, ku siç tha ai, udhëheqësit politikë duket se kanë arritur një “qorrsokak”.
“Shqipëria ka bërë hapa të mëdha që prej viteve të saj nën diktaturën e Hoxhës dhe populli shqiptar ka investuar shumë për të parë rrënjët e demokracisë së tyre. Marrëdhënia e fortë dhe e ngrohtë e SHBA-Shqipëri ka ndihmuar në nxitjen e këtyre zhvillimeve. Prandaj, unë jam shumë i shqetësuar nga ajo që shoh në ditët dhe javët e fundit, pasi udhëheqësit politikë shqiptarë duket se kanë arritur në një qorrsokak”, ka thënë Engel.
Ai, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të qëndrojnë larg të gjitha akteve të dhunës, i ftoi ata të zgjidhin mosmarrëveshjet me dialog.
“Kjo mosmarrëveshje mund të zgjidhet vetëm me dialog dhe sipas sundimit të ligjit”, ka thënë Engel.
Shqipëria, thotë Engel, është anëtare e NATO-s dhe meriton një të ardhme evropiane, por krizat e përsëritura rreth zgjedhjeve e minojnë ecjen e saj përpara.
Opozita, me muaj, po proteston kundër Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Edi Rama dhe është zotuar se do t’i bojkotojë zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Ndërkohë presidenti Meta, të enjten, vetëm 3 ditë para zgjedhjeve caktoi 13 tetorin si datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vend.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë në Twitter, duke e quajtur “çmenduri” vendimin e presidentit dhe ripërsëriti se data e vetme e zgjedhjeve në Shqipëri është 30 qershori.
Fraksion.com