Basha: Nuk marrim pjesë në asnjë proces zgjedhjesh, fund pandëshkueshmërisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një deklarate për mediet ka theksuar se Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk marrin pjesë në asnjë proces zgjedhor, pa dalë para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në vjedhjet e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin.
“Fundi i pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin është kushti i panegociueshëm që ne t’u kthehemi proceseve politike. Ne nuk bëjmë marrëveshje me Edi Ramën, në asnjë rrethanë dhe në asnjë kusht”, theksoi Basha.
Basha duke folur për qëndrimin e PD, pasi Presidenti Meta ka dekretuar një datë të re për zgjedhjet lokale, theksoi se, “Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar nuk merr pjesë në asnjë proces zgjedhjesh dhe në asnjë diskutim për zgjedhje, nuk merr pjesë në asnjë diskutim për zgjidhje politike apo për reforma apo për çfarëdo formule pa dalë para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në vjedhjet e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin”.
“Ne nuk bëjmë marrëveshje me Edi Ramën, në asnjë rrethanë dhe në asnjë kusht. Ne as nuk diskutojmë më me Edi Ramën në asnjë rrethanë. Tashmë ikja e tij është e vetmja rrugë për të zgjidhur krizën”, – nënvizoi Basha.
Fraksion.com