Rusia largon ekipin e saj të teknikëve nga Venezuela
Rusia ka thënë se ka larguar personelin e saj nga Venezuela, teksa presidenti i kontestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro ka thënë të ketë parandaluar një puç të mundshëm.
Ambasada e Rusisë në Karakas e ka bërë këtë njoftim përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.
Moska pati angazhuar rreth 100 ekspertë ushtarakë në Venezuelë, tre muaj më parë, hap i cili ka zemëruar Uashingtonin, që kërkon ta largojë Maduron nga pushteti.
Rusia në anën tjetër është përkrahëse e madhe e Maduros.
“Aeroplani, Il-62, që ka bartuar teknikë rusë, të cilët kanë qenë në Venezuelë muajt e fundit, janë larguar drejt Moskës më 26 qershor”, është thënë në njoftimin në Facebook.
Deri më tani Rusia i ka shitur Venezuelës armë në vlerë të qindra miliona dollarëve.
Qeverisja në këtë shtet është bllokuar për muaj pasi lideri opozitar, Juan Guaido, e ka shpallur veten president të përkohshëm.
Më shumë se 50 shtete e kanë mbështetur këtë hap të Guaidos, duke nisur nga Shtetet e Bashkuara.
Fraksion.com