Kolegji: Dekreti i Metës i pavlefshëm; Vendimi i Gjykatës: Presidenti ka marrë kompetencat e Kuvendit
Kolegji Zgjedhor zbardhi argumentet mbi të cilat duke rrëzuar kërkesën e Partisë Uniteti Kombëtar për t’u çregjistruar konfirmoi edhe njëherë se zgjedhjet vendore do të mbahen 30 qershor, por duke mbajtur në konsideratë edhe dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, si edhe mohimit që i bëhet të drejtës për të votuar kolegji ka trajtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe dekretin e presidentit Meta qe anuloi zgjedhjet.
Kolegji Zgjedhor thotë shprehimisht se dekreti i dytë i Presidentit që shfuqizoi dekretin e datës 5 nëntor 2018 është akt absolutisht i pavlefshëm. Për këtë argument Kolegji i referohet edhe kompetencave qe ka Presidenti për sa i përket caktimit të datës së zgjedhjeve, nën parashikimet që cakton Kodi Zgjedhor mbi afatet dhe periudhën zgjedhore. Ndaj vëren Kolegji në mungesë të një kompetence të shprehur me ligj, çdo kompetencë tjetër bie ndesh me Kushtetutën.
Bazuar në qëndrimin e KQZ, Kolegji çmon më tej se dekretimi duhet bërë jo më vonë se nëntë muaj dhe për këtë shkak Presidenti ka kompetencë të kufizuar tej kësaj kohe. Pra theksohet në vazhdim, Presidenti as mund të ndryshojë edhe as mund të shfuqizojë datën e zgjedhjeve, ndaj dekreti i dytë konsiderohet në shkelje të hapur dhe flagrante me Kodin e procedurave Administrative.
Kolegji thekson se vetëm ligji mund ta lejojë Presidentin të shfuqizojë datën e zgjedhjeve si ndodhi në 2007, kur Kuvendi u detyrua të ndryshojë Kodin Zgjedhor për ta mundësuar diçka të tillë. Në vijim të këtyre argumenteve Kolegji e konsideron se Presidenti i Republikës përmes anulimit të datës së zgjedhjeve ka marrë kompetencat e Kuvendit.
Gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor shkojnë më tej, duke thënë në vendim se me anulimin e datës se zgjedhjeve shtetasve shqiptarë, iu mohohet e drejta e votës bazuar, në praktikat e Komisionit të Venecias por edhe mbi parimet bazë të trashëgimisë elektorale evropiane.