AktualitetBota+Të fundit

Gjermani: Arrestohet një shtetas i Bosnjës për sulmet e Parisit më 2015

Një shtetas i Bosnjës, i kërkuar në lidhje me sulmet e Parisit të vitit 2015, është arrestuar në Gjermani, kanë njoftuar policia federale dhe prokurorët e qytetit të Dresdenit.

Në sulmet e nëntorit të vitit 2015, të kryer nga ekstremistët islamikë, janë vrarë 130 persona, duke përfshirë 90 në Teatrin Bataclan.

I dyshuari 39-vjeçar, identitetin e të cilit nuk e kanë bërë të ditur autoritetet gjermane, ka qenë i kërkuar në bazë të një fletarresti të nisur nga Belgjika, prej nga besohet se kanë ardhur shumica e sulmuesve të Parisit.

“Ekziston një fletarrest, i nisur nga autoritetet belge kundër të akuzuarit për mbështetje të një organizate terroriste, të lidhur me sulme terroriste, përfshirë atë në sallen e koncerteve Bataclan, më 13 nëntor, 2015 në Paris”, është thënë në deklaratë, pa u ofruar informacione shtesë.

Personi i ndaluar do të qëndrojë në mbajtje, derisa të shqyrtohen procedurat e ekstradimit nga një gjykatë në qytetin lindor, Merseburg.

 

Fraksion.com