AktualitetBota+Të fundit

Francë: Shqetësime për lirinë e medias

Gazetarët francezë merren në pyetje nga shërbimet e fshehta. Presidenti Macron u shpjegon gazetarëve se si të punojnë.

Rreth njëqind njerëz janë ulur në një kafene në qendër të Parisit dhe shohin një video që tregon se si gazetarë të mediumit online “Disclose” identifikojnë tanke franceze në një video nga lufta në Jemen. Një nga autorët, gazetari investigativ, Mathias Destal, shpjegon pse ai dhe ekipi i tij besojnë se kompania shtetërore e armëve “Nexter” e  ka furnizuar Arabinë Saudite me armë dhe tanke, të cilat më pas janë përdorur kundër civilëve në Jemen – dhe se këtë e ka ditur edhe qeveria.

Raporti nuk është vetëm për audiencën tronditës. Ai ka ngjallur edhe reagime të ashpra te qeveria franceze, e cila ka ngritur akuza kundër gazetarit për zbulimin e sekreteve shtetërore; raporti bazohet në dokumente të klasifikuara. Destal dhe dy gazetarë të tjerë nga “Disclose” janë marrë në pyetje nga shërbimet sekrete.

“Na morën dy oficere femra, të cilat na çuan në një dhomë katër kate nën tokë për të na marrë në pyetje – ishte mjaft kërcënuese,” shpjegoi ai.

Atyre iu bënë shumë pyetje në lidhje me politikën editoriale të Disclose, si financohet dhe nëse Destal e dinte se çfarë do të thotë termi “sekret shtetëror”. “Një nga kolegët e mi u pyet edhe për disa nga postimet e tij në Twitter dhe Facebook që nuk kanë lidhje me këtë raport,” tha ai.

Vetëm një pyetje kishte të bënte me burimet e gazetarëve, gjë që e kishte shtyrë Destal-in të mendonte se ishte mbi të gjitha një përpjekje për ta trembur.

“Si gazetar, zakonisht akuzohesh për shpifje përpara një gjykate të posaçme, por në këtë rast, hetuesit nuk duket se dyshonin për saktësinë e asaj që kemi shkruar. Dhe hetimi nuk bëhej nga gjyqtarë të pavarur, por nga një prokuror, i cili, të paktën formalisht, është nën autoritetin e Ministrisë së Drejtësisë,” tha ai.

Destal mund të shkojë në burg për pesë vjet dhe duhet të paguajë një gjobë deri në 75 000 euro. Dhe Disclose nuk është media e vetme që vihet në shënjestër nga qeveria. Gjatë tre muajve të fundit, shërbimet sekrete kanë marrë në pyetje për historinë e armëve në Jemen dhe të ashtuquajturën aferën “Benalla” tetë gazetarë mediash të ndryshme, si edhe drejtorin e gazetës “Le Monde”.

‘Sulm ndaj gazetarisë hulumtuese’

Pauline Ades-Mevel, zëdhënëse e OJQ-së “Reporterët pa Kufij”, me seli në Paris, thotë se këto janë sulme ndaj gazetarisë investigative.

“Fakti që shërbimet sekrete marrin në pyetje gazetarët është një problem, por ai po bëhet një problem i madh duke pasur parasysh se brenda një kohe shumë të shkurtër janë marrë në pyetje kaq shumë gaztarë”, thotë ajo. Ajo shton se këto raste i bëjnë gazetarët investigativë që të mendohen mirë para se të bëjnë hulumtime të tilla.

Jean-Marie Charon, një specialiste e medias dhe studiuese në Universitetin EHESS në Paris, mendon se Franca po bën kështu hapa prapa në lirinë e medias. “Gjatë viteve të fundit kanë dalë disa ligje në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe kundër sekretit të biznesit. Këto po i kufizojnë gjithnjë e më shumë gazetarët”, thotë ajo.

Pauline Adès-Mevel (DW/L. Louis)Pauline Ades Mevel, Reporterët pa kufi

‘Zonat që gazetarët nuk duhet të mbulojnë’

Gazetarët ishin vënë në shënjestër edhe gjatë protestave të “jelekverdhëve”, që nisën kohë më parë si kundër një takse të re mbi karburantin dhe u shndërruan në një revoltë kundër elitës politike.

“Policia i qëllonte gazetarët, ose i largonte nga vendi e u dëmtonte materialin e xhiruar ose të fotografuar në 105 raste. Të gjitha këto – akuza, ligjet e reja dhe goditjet ndaj gazetarëve – dërgojnë mesazhin se ka fusha që gazetarët nuk duhet të mbulojnë”, tha Charon. Edhe qeveritë e kaluara franceze kanë pasur probleme me median. Por Charon mendon se Emmanuel Macron është më keq se disa prej paraardhësve të tij.

“Macron duket se beson se shtypi duhet të mbahet nën kontroll. Në pika të ndryshme, ai ka dalë pak si një know-it-all, duke u shpjeguar gazetarëve se si të bëjnë punët e tyre dhe duke thënë se mediat po raportojnë për shumë gjëra por jo për gjërat e rëndësishme”, thotë ai.

Përkufizimi i termit “sekret shtetëror”

Raphael Gauvain, një anëtar i parlamentit me partinë e Macron, mohon se gazetarët janë në shënjestër të tepërt. “Ne nuk po përpiqemi të shtypim shtypin, por është krejtësisht normale që të bëhen hetime, kur zbulohen sekretet shtetërore”, thotë ai. “Ne duhet të besojmë në demokracinë tonë funksionale dhe sistemin e drejtësisë, të cilat përfundimisht do të vendosin se çfarë ka përparësi – sekretet tona shtetërore apo liria e shtypit,” thotë ai.

Jean-Marie Charon EHESS Paris (DW/L. Louis)Jean-Marie Charon EHESS Paris

Por hulumtuesja e medias, Charon, thotë se qeveria po e zgjeron përkufizimin e termit “sekret shtetëror”:

“Unë mund ta kuptoj kur ky term përdoret për të mbrojtur jetën e ushtarëve, për shembull, në Mali, por në këtë rast ai vetëm sa do të ndihmonte qeverinë të ruante fytyrën. Kjo nuk është e drejtë. “Gazetari Destal, ndërkohë, është i bindur se ai do të vazhdojë punën e tij hetimore – tani edhe më shumë se më parë./DW

 

Fraksion.com