Bypass-i i Fierit; Rama: Merr fund historia e pafundme e ngërçit të rrugës gjatë sezonit turistik
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga punimet për bypass- in e Fierit.
Rama thotë se “historia e pafundme e ngërçit të rrugës së Fierit gjatë sezonit turistik, merr fund me hapjen e njërës anë të bypass-it, duke e lehtësuar shumë ndjeshëm qarkullimin drejt jugut”.
Puna në bypass-in e Fierit vijon intensivisht në mënyrë që të kapet afati i hapjes së njërës korsi për autoveturat deri më 30 qershor 2019.
Prej vitesh shqiptarët presin të përfundojnë 22 kilometrat e një autostrade të re, e cila shmang rrugën e vjetër kombëtare që lidh Fierin me qytetin e Vlorës.
Që të kalosh përmes segmentit të vjetër, të duhen minimalisht 40 minuta. Gjate sezonit të verës, trafiku i rënduar nga pushuesit që frekuentojnë plazhet e jugut dhe rruga e ngushtë u kushton udhëtarëve disa orë dhe qindra aksidente.
Kjo tablo do t’i përkasë të shkuarës në pak ditë. Bypass-i i Fierit, që do ta evitojë rrugën e vjetër, është drejt përfundimit.
Punimet për bypass-in e Fierit nisën në vitin 2011 dhe tani pas 8 vitesh do të hapet njëra korsi e kësaj rruge, e cila do të lidhë mjetet direkt me autostradën Levan-Vlorë.
Korsitë janë të gjera 3,75 metra. Në muajin shkurt të vitit të ardhshëm autostrada do të hapet e gjitha në të dy krahët. Ajo do të jetë e pajisur dhe panele mbrojtëse për të evituar erën e fortë që rreh këtë segment.
Faza më intensive e punimeve është përqendruar në dy urat e fundit. Ajo e Pojanit ka përfunduar, ndërsa po shtrohen trarët tek ura Semanit.
Postimi i z. Rama:
MIRËMËNGJES 😃
dhe me lajmin që më në fund historia e pafundme e ngërçit të rrugës së Fierit gjatë sezonit turistik, merr fund me hapjen e njërës anë të bypass-it, duke e lehtësuar shumë ndjeshëm qarkullimin drejt jugut, ju uroj një ditë të mbarë 😊
Fraksion.com