AktualitetTë fundit

Uashingtoni, telefonatë Ramës, Reeker: Zgjedhjet në 30 Qershor, asnjë hap pas!

Ambasadori Philip T. Reeker, asistent sekretar për Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama javën e shkuar.

Kjo telefonatë e kërkuar nga ambasadori Reeker, i është konfirmuar ekskluzivisht për Top Channel, gazetarit Muhamed Veliu, nga dy burime diplomatike të pavarura nga njëra tjetra si dhe nga kryeministria.

Po të njëjtat burime në dijeni të përmbajtjes së kësaj telefonate që ka zgjatur 20 minuta kanë treguar edhe thelbin e saj.

Ambasadori Reeker ka ngulmuar gjatë telefonatës për mos bërjen e asnjë hap pas në zhvillimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Një qëndrim ky i palëkundur i amerikanëve gjatë muajve të fundit, por i përforcuar edhe njëherë tjetër në këtë bisedë telefonike.

Ditën kur presidenti Meta çdekretoi datën e zgjedhjeve, Top Channel raportoi se në DASH ambasadori Philip T. Reeker, kishte zhvilluar një takim me departamentin e Euroazizë, për të analizuar vendimin e presidentit.

Ajo çfarë ishte konkluduar në këtë takim, u mësua një dite më pas kur një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i tha “Zërit të Amerikës” se DASH, është duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe po mban kontakt, me aktorët përkatës lidhur me ndikimet ligjore të njoftimit të presidentit.

Departamenti i Shtetit, tha zëdhënësi, do të vazhdojë të ndjekë dhe vlerësojë situatën që është në zhvillim e sipër.

Pikërisht kjo ndjekje vijoi me telefonatën e Reeker për Ramën të mërkurën nga ku më pas ambasadës amerikane iu dha porosia për hapin e radhës.

E enjtja e shkuar një ditë përpara protestës së 9 kombëtare, e gjeti zv.Shefin e Misionit në Detyrë i Ambasadës Amerikane, Daniel Koski në zyrat e kryedemokratit Lulzim Basha dhe shefes së LSI Kryemadhi.

Për ta si asnjëherë më parë, mesazhi i përcjellë ishte më radikali në historinë e pluralizmit shqiptarë.

“Çdo akt dhune nga sot deri në 1 Korrik i bërë apo nxitur nga ju do ta detyrojë Departamentin e Shtetit t’ju klasifikojë si organizata të dhunshme!,”-mësohet se ka thënë Koski.

Ligji amerikan për organizatat e dhunshme, të cilat radhiten një shkallë më poshtë se organizatat terroriste, është shumë i ashpër.

Ai prek të gjithë drejtuesit dhe anëtarët e organizatës, të cilëve u konfiskohen asetet, u bllokohen kontot bankare, u sekuestrohet çdo transaksion i mundshëm në dollarë apo pasuri të patundshme.

Por jo vetëm kaq. U kufizohet edhe lëvizja në vendet me të cilat SHBA kanë marrëveshje për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Ky ligj amerikan është veçanërisht specifik për të gjithë anëtarët e këtyre organizatave që kanë pasur poste publike apo kanë aktivitet biznesi.

Ky mesazh i Washingtonit përcjell si një telegram urgjent, Bashës dhe Kryemadhit nga Daniel Koski, nuk u pohua apo mohua nga përfaqësia diplomatike amerikane në rrugën e Elbasanit.

Efekti këtij paralajmërimi u reflektua menjëherë, në protestën e të premtes ku nuk u hodh as edhe një kapsollë e vetme.

 

Fraksion.com