SHBA, shpërthimi i fruthit, situata më e keqe prej rreth 30 vitesh
Javën e kaluar u njoftuan tridhjetë e tre raste të reja të fruthit duke shënuar një total prej 1,077 rastesh aktive brenda Shteteve të Bashkuara. Autoritetet e shëndetësisë thonë se ky ishte shpërthimi më i keq i infeksionit viral që prej vitit 1992 kur u regjistruan 2,126 raste.
Rreth 30 shtete kanë raportuar raste të prekjes nga fruthi. Në fund të majit distrikti i Rockland-it në Nju Jork shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të shpërthimit të fruthit në komunitetin hebre ultra-ortodoks.
Në vitin 2000 autoritet shpallën se fruthi ishte zhdukur brenda SHBA-së, ose katër dekada pasi e kishin vendosur si objektv eleminimin e tij. Një sëmundje konsiderohet se është eliminuar kur kalon një vit i plotë pa transmetime aktive. Nëse deri në tetor 2019, përhapja e sëmundjes nuk do të vendoset nën kontroll, Shtetet e Bashkuara do ta humbasin statusin e vendit ku infesksioni viral rezulton të jetë eliminuar.
“Humbja e këtij statusi do të ishte një goditje e fortë për kombin dhe do të zhbënte punën e madhe në të gjitha nivelet e shëndetit publik”, thuhej në një deklaratë për shtyp të muajit të kaluar të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC). “Përpara përdorimit të gjerë të vaksinës së fruthit, çdo vit rreth 3 deri në 4 milionë persona janë prekur nga fruthi në Shtetet e Bashkuara, me rreth 400 deri në 500 raste vdekjesh dhe 48 mijë raste trajtimi spitalor”.
Sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve shumica e rasteve po përhapen nga fëmijët e moshës shkollore të pavaksinuar. Komunitetet me një shkallë të ulët vaksinimi krijojnë shanse që sëmundja të përhapet me lehtësi.
Agjencia e lajmeve “Associated Press” raportoi se udhëtimi drejt vendeve ku rastet e fruthit ndeshen rëndom, veçanërisht në Ukrainë, Izrael e Filipine ka kontribuar gjithashtu në përhapjen e sëmundjes në SHBA./VOA
Fraksion.com