Prishja e zgjedhjeve; Hysi: Drejtuesit e opozitës rrezikojnë vijën e kuqe nga ndërkombëtarët
Drejtuesit e opozitës rrezikojnë t’u vihet vija e kuqe nga ndërkombëtarët nëse prishin zgjedhjet.
E pyetur mbi aksionin e opozitës për të prishur zgjedhjet, nën/kryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi deklaroi sot në një intervistë televizive se, “opozita që është në rrugë e ka kuptuar besoj se e kanë thënë edhe ndërkombëtarët që data 30 është data e zgjedhjeve. Nëse vija e kuqe i është vënë një pjesë të drejtuesve të opozitës, s’besoj se duan t’i vihet edhe pjesës tjetër që janë pranë vijës së së kuqe dhe që të kenë pasoja, jo vetëm vetë gjithë jetën, por edhe të afërmit dhe familjarët e tyre. Sidomos SHBA që është shumë e rreptë për këto çështje, por edhe vendet e tjera gjithashtu ”.
E pyetur për legjitimitetin e zgjedhjeve Hysi tha se, “varet nga standardet. Pra sa palët që marrin pjesë do të respektojnë standardet. Nga administrata zgjedhore, nga KQZ deri tek qendrat e votimit. E dyta është dhe pjesëmarrja. Sa njerëzit do të ndihen të lirë të mbështesin me votë atë parti, atë anëtar të Këshillit Bashkiak që preferojnë”.
“Presidenti ka dekretuar datën 30 qershor. E gjithë procedura, për përgatitjen e zgjedhjeve është bërë. Fushata është në përfundim, na ndajnë vetëm tre ditë nga heshtja zgjedhore. Po shpërndahet dhe baza materiale”, theksoi Hysi.
Hysi u shpreh se, “anulimi i datë së zgjedhjeve nga Presidenti që u rrëzua nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor nuk e qetësoi situatën. Data 30 do të jetë e qetë. Nuk besoj se do të ketë shqiptar të sakrifikojë jetën, të provojë burgun, të mos ketë të ardhme dhe të mos punojë dot në administratë publike për shkak të politikës”.
Ne, tha Hysi, “ne miratuam edhe ndëshkime më të rrepta në Kodin Penal që parashikojnë jo vetëm dënim për dhunën, por edhe për pengimin ndaj zgjedhësve dhe parashikohet nga 1-8 vjet burg”.
Por, shtoi ajo, “është dhe ligji i dekriminalizimit, ku nëse bën krim zgjedhor ndalohet të punosh në administratë për periudha të gjata 10-20 vjet. Pra nuk besoj se ka njerëz që duan të prishin të ardhmen e vet për liderët e opozitës apo qoftë dhe të mazhorancës”.
E pyetur për udhëzimin e Kryeprokurores, Arta Marku, Hysi tha se, “sa herë që ka zgjedhje gjithmonë strukturat e shtetit duke filluar që nga shëndetësia, Policia, Garda, administrata e burgjeve, kanë një gatishmëri të përforcuar. Në këtë kuadër policia e ka për të detyrë të sigurojë rendin publik dhe janë të përcaktuara kompetencat në kodin zgjedhor. Prokuroria është në gatishmëri, jo vetëm në periudhë zgjedhjesh, por në periudhë zgjedhjesh edhe më shumë. Kemi një numër të konsiderueshëm veprash penale që lidhen me qetësinë që duhet të ketë, me kanosjen, me dhunën ndaj komisionerëve”.
Duke folur për procedurat e Komisionit të Ligjeve për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, Hysi deklaroi se, “Komisioni iu drejtua Presidentit me një kërkesë për ta dëgjuar. Por morëm vetëm një letër nga Sekretarja e Përgjithshme e Presidencës. Të dy relatorët e Komisionit po plotësojnë kërkesën për t’iu drejtuar seancës për ngritjen e Komisionit Hetimor që do të hetojë nëse ka shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjit”.
E pyetur për një raport të Komisionit të Venecias për marrëdhëniet e mazhorancës dhe opozitës në Kuvend, Hysi tha se, “e pashë atë raport sepse ishte publikuar në disa portale, por nuk flet për Shqipërinë, por në përgjithësi. Komisioni i Venecias ka riparë një listë të treguesve sesi duhet të bashkëpunojnë mazhoranca dhe opozita në Kuvend. Duke parë në disa portale sikur raporti ishte për Shqipërinë e lexova, por ishte një raport i përgjithshëm për të gjitha vendet sesi duhet të jetë bashkëpunimi parlamentar”./ATSH