Plani i opozitës në 29-30 qershor; Pengim votuesve, protesta dhe sulm qendrave të votimit
Opozita ka nisur mobilizimin për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 30 qershor.
Ditën e djeshme kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me aleatët e PD në selinë blu, fokus i së cilës ka qenë pikërisht aksioni opozitar në ditët në vijim.
Sipas informacioneve, mësohet se aleatët janë urdhëruar nga Basha që të mobilizohen për të shkaktuar trazira gjatë fundjavës, në mënyrë që të pengohet mbajtja e zgjedhjeve.
Madje, të njëjtën porosi kryedemokrati Basha ua ka dhënë edhe deputetëve për ato qytete që drejtohen nga PS.
Sipas informacioneve, mësohet se kulmi i këtij shpërthimi do të jetë në datën 29 dhe 30 qershor.
Më konkretisht, burimet thanë se në datën 29 do të synohet të pengohet shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjitha qendrat e votimit.
Ndërkohë që, të njëjtat burime theksuan se në rast se ky skenar dështon, opozita është e vendosur për të penguar zgjedhjet, aksion ky që do të shtrihet gjatë gjithë datës 30 qershor.
Mësohet se të dielën do të zhvillohen protestat në të gjithë vendin, ndërsa do të synohet të tentohet që të prishet procesi, duke filluar nga sulmet ndaj qendrave të votimit deri tek pengimi i qytetarëve që të shkojnë të votojnë.
Ndërsa sa i takon protestave, burime në mbledhjen e Bashës me aleatët bën të ditur për gazetën se protesta kombëtare momentalisht nuk ka për të pasur.
Kjo, për faktin se jo vetëm që është verë, por edhe nga që në fund të kësaj jave janë zgjedhjet vendore dhe në rast se nuk arrihet që të pengohet procesi i votimit, interesi për të protestuar pritet të bjerë.
Pra, do të ndiqet e njëjta skemë, sikundër ndodhi me KZAZ-të, ku militantët të opozitës i sulmuan dhe i dhunuan, duke i ndezur në flakë dhe përplasur me policin.
Ndërkohë që, sipas informacioneve është vendosur që protestat lokale të mos ndërpriten por të protestohet çdo ditë, sidomos gjatë kësaj jave në të gjitha ato qytetet, ky kryeministri Edi Rama shkon në takime elektorale në kuadër të zgjedhjeve lokale.
Fraksion.com