Meta sulmon ndërkombëtarët: Më besoni mua, jo ambasadorët
Në konferencën e tij të shkurtër për shtyp, Ilir Meta ka kërkuar nga gazetarët që të besojnë atë, dhe jo ambasadorët.
Sipas tij, pa pjesmarrjen e PD-së dhe LSI-së në zgjedhjet e 30 qershorit, Shqipërisë nuk do i hapen kurrë negociatat për anëtarësimin në BE.
“Unë nuk hyj te ata politikanë që flasin në emër të ambasadave dhe ndërkombëtareve dhe fshihen në emër të tyre. Presidenti është i duruar që të gjithë të reflektojnë e kuptojnë që pluralizmi ka tre dekada që ka ardhur, të kuptojnë edhe një gjë që nuk ua thonë dot ambasadorët se ndoshta nuk i lënë tua thonë, ua them unë, ua kam thënë edhe atyre edhe palëve, pa zgjedhje, jo vetëm gjithëpërfshirëse, por edhe me standardet më të mira, nuk ka e nuk do të ketë çelje të negociatave. Më besoni mua, unë jam esëll gjithë ditës, jo më tani në mëngjes”, ka thënë prerë Meta.
Presidenti tha se mos prisni nga asnjë ambasador t’ju thotë këtë që po ju them unë.
“Edhe sikur të bëheshin zgjedhjet, edhe sikur gjithë populli opozitar që nuk do merrte pjesë të duartrokiste, e ardhmja e Shqipërisë për hapjen e negociatave, do ishte një e ardhme jo e qartë. Shqipëria do dënohej nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut siç ka ndodhur në shumë vende të tjera. Kam anuluar zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë, para gjithë shqiptarëve këtu”, vijoi ai.
Fraksion.com