AktualitetPolitikëTë fundit

Amerikanët nuk e duan Lulzim Bashën!

Partia Demokratike është futur prej 3 vitesh në një kurs përplasjeje të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe duket se kjo përplasje e ka emrin “reforma në drejtësi”, aty ku SHBA-BE, janë investuar maksimalisht për t’u dhënë shqiptarëve një drejtësi të pavarur nga politika dhe të pacënueshme nga krimi.

Lulzim Basha dhe eksponentë të tjerë të opozitës janë paralajmëruar dhe përmendur në emër nga SHBA për pasojat që mund të kenë në rast se dalin kundër vendimeve që janë në interes të vendit. Përplasja e kryedemokratit me SHBA ka nisur që në 2016, për t’u finalizuar gjatë protestave të dhunshme të opozitës dhe kërcënimeve për të bllokuar 30 qershorin, shkruan gazeta SHQIP. Qëndrimet e zyrtarëve të lartë të SHBA dhe të DASH janë pasqyruar sistematikisht nga ambasada amerikane në Tiranë, shpesh me një fjalor të ashpër, duke tejkaluar edhe ‘gjuhën diplomatike’

Si nisi përplasja e Bashës me amerikanët

Votimi i reformës në drejtësi ka qenë edhe zanafilla e konfliktit. SHBA, nën monitorimin e vazhdueshëm nga ambasadori Donald Lu, është investuar direkt për reformën në drejtësi, e cila kërkonte 140 vota për t’u miratuar. Deri në finalizmin e votës historike të 21 korrikut, PD dhe LSI shfaqen shumë kritika. Para se të votohej reforma, Donald Lu zbuloi “mashtrimin” që i kishte bërë Lulzim Basha.

“Dy javë më parë, dëgjova me zë të fortë nga Basha dhe Bylykbashi se nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen. Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund, Rama u dorëzua dhe u ofroi atyre saktësisht atë që Basha kishte kërkuar, një proces përzgjedhjeje të quajtur 6 plus 6. Por kjo nuk mjaftonte.Tani për herë të parë ata thonë se për shkak të sovranitetit kombëtar nuk mund të pranojmë që të huajt të bëjnë vlerësimin për kualifikimin e komisionerëve. Kjo është e çuditshme. Në 19 maj Basha na tha ne dhe ambasadores Vlahutin se të huajt ishin të vetmit persona që mund ta pastronin peshkun nga koka. U tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të PE Kukan e Flanckerstein. Bylykbashi e përfshiu këtë në propozimin e tij zyrtar të shkruar që na dërgoi. Dhe tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre.” – deklaronte Lu.

Protestat e dhunshme dhe kërcënimi për bllokimin e zgjedhjeve të 30 qershorit

Pavarësisht se opozita nuk është regjistruar në zgjedhjet lokale dhe presidenti Ilir Meta ka anuluar përmes një “çdekretimi” zgjedhjet e 30 qershorit të dekretuara nga po vetë ai, SHBA-të insistojnë që votimet të mbahen këtë të dielë. Qëndrimi zyrtar i Amerikës, i artikuluar përmes disa funksionarëve të lartë amerikanë, ka qenë plotësisht në mbështetje të qeverisë dhe që rrëzon çdo kauzë të opozitës. “Qeveria dhe parlamenti janë legjitime, zgjedhjet e kaluara janë të çertifikuara dhe të njohuara ndërkombëtarisht. Dënojmë çdo akt dhunë në protesta dhe përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi deri në shpallje non grata në SHBA”, ka qenë qëndrimi zyrtar dhe sistematik i SHBA

Philip T. Reeker mbështet Ramën: Asnjë hap pas, zgjedhjet më 30 qershor

Kur na ndajnë edhe 5 ditë nga zgjedhjet e 30 qershorit, SHBA ka dhënë një tjetër mesazh në mbështetje të qeverisë ku insiston që votimet ë të mbahen këtë të diel. Ambasadori Philip T. Reeker, asistent sekretar për Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka zhvilluar një bisedë telefonike për rreth 20 minuta me kryeministrin Edi Rama javën e shkuar.

Ambasadori Reeker ka ngulmuar gjatë telefonatës për mos bërjen e asnjë hapi pas në zhvillimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Telefonata e Reeker është një goditje e fortë për Bashën, opozitën, por edhe presidentin Ilir Meta, i cili përmes një dekreti “ç’dekretoi” 30 qershorin.

Daniel Koski: PD mund të klasifikohet si organizatë e dhunshme

Pas protestave të dhunshme, ku hidheshin bomba molotov, flakadanë, gurë dhe sendë të forta drej policisë dhe ku ju vihej flaka institucioneve të shtetit, opozita u qetësua plotësisht në protestën e fundit, atë të 21 qershorit.  Duket si një vendim I Bashës dhe Kryemadhit, por e gjitha lidhet me një vizitë të beftë në zyrë nga një zyrtar I ambasadës amerikane.

“Çdo akt dhune nga sot deri në 1 Korrik i bërë apo nxitur nga ju do ta detyrojë Departamentin e Shtetit t’ju klasifikojë si organizata të dhunshme!,” – mësohet se i ka thënë Koski, Bashës dhe Kryemadhit.

Ligji amerikan për organizatat e dhunshme, të cilat radhiten një shkallë më poshtë se organizatat terroriste, është shumë i ashpër. Ai prek të gjithë drejtuesit dhe anëtarët e organizatës, të cilëve u konfiskohen asetet, u bllokohen kontot bankare, u sekuestrohet çdo transaksion i mundshëm në dollarë apo pasuri të patundshme. Por jo vetëm kaq. U kufizohet edhe lëvizja në vendet me të cilat SHBA kanë marrëveshje për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Palmer: Qeveria dhe parlamenti legjitime, zgjedhjet më 30 qershor

Edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Mattheë Palmer, gjatë një vizite në Shqipër më 9 prill, goditi direkt aksionin opozita të Lulzim Bashës, duke rrëzuar të gjitha kauzat e tij për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.

“Inkurajoj te gjitha partite te marrin pjese ne zjedhjet e qershorit. Shqiperia ka qeveri legjitime. Jam i sigurt se kjo qeveri do e çoj vendin perpara”, pati deklaruar ai.

Ndërkohë, në një intervistë për Top-Channel zyrtari i DASH, paralajmëroi direkt Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin se do të shpallen “non grata” në SHBA nëse mbajnë protesta të dhunshme.

Qëndrimet e ambasadës

Ambasada ka qenë edhe më e ashpër opozitës. Me disa deklarata zyrtare, pasuesja e Donald Lu ka dënuar dhunën në protesta dhe ka mbështetur qeverinë dhe deputetët e rinj të opozitës. Leyla Moses ka zhvilluar vizita të shumta në zyrën e kryedemokratit, për të cilit Basha nuk ka preferuar të flasë. Edhe sot, zyrtarja e SHBA ishte në zyrën e Bashës, por kryedemokrati nuk foli për mesazhet e Amerikës, duke preferuar më mirë të sulmojë Top-Channel dhe TvKlan.

Ka një pikë ku qëndrimi I SHBA-BE është plotësisht kundër opozitës. Qeveria dhe parlamenti janë legjitime, insistojnë ambasadorët, duke rrëzuar kështu kërkesën e Bashës për qeveri tranzitore dhe duke hedhur poshtë deklaratat e presidentit për “parlament ilegjitim”.

Kur na ndajnë edhe pesë ditë nga zgjedhjet lokale, duket se Lulzim Basha po kalon “dimrin e vetmisë së madhe” edhe pse temperaturat shënojnë 37 gradë. Bota ka folur qartë: Zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor./ gazeta Shqip

 

Fraksion.com