AktualitetBota+Të fundit

70 vjetori i furnizmit të Berlinit nga ajri

Në qershor të vitit 1948, trupat sovjetike mbyllën të gjitha hekurudhat dhe rrugët që të çonin në qytetin e Berlinit, në përpjekje për ta bllokuar atë. Ky veprim nxiti Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre që të hartonin një plan të guximshëm për të furnizuar nga ajri me mbi 2 milion tonë mallra qytetin e ndarë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, 70 vjet pas asaj ngjarjeje historike në ndihmë të Berlinit, shumë gjermanë mbeten mirënjohës ndaj atyre që dhanë ndihma në një kohë të dëshpëruar, një mision që krijoi një precedent për Luftën e Ftohtë dhe më gjerë.

Furnizimet nga ajri, si pika shiu nga një re, ngazëllejnë qindra fëmijë. Ajo që sot është një ngjarje përkujtimore në qytetin gjerman Wiesbaden, ishte një çështje për jetë a vdekje për banorët e Berlinit 70 vjet më parë.

“Ishte një ndjenjë e mirë t’u jepje njerëzve diçka për të mbijetuar”.

Koloneli i Forcave Ajrore Amerikane në pension, Gail Halvorsen, ishte një oficer i ri, gjatë operacionit të koduar “Vittles në vitet 1948-1949” – operacioni humanitar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të ushqyer berlinezët e bllokuar nga sovjetikët.

“Ishte operacioni i parë i madh që mbështeste një qytet nga ajri, vetëm përmes ajrit duke çarë bllokadën e Bashkimit Sovjetik. Pra, fluturimi i avionëve mbi Berlin ishte një arritje e madhe”, thotë Gail Halvorsen.

Një nga përplasjet e para të Luftës së Ftohtë është përjetësuar në filmimet që ka bërë në atë kohë Halversoni, ku fëmijët janë në qendër të imazheve të marra prej tij.

“Ata vëzhgonin avionët të rreshtuar, duke na përshëndetur kur niseshim dhe gjithmonë kishte një turmë fëmijësh që vëzhgonte se nga po vinte mëngjesi i tyre, nëse do të kishin vezë të ziera apo patate të thata”.

Ndërsa misioni po zgjatej, Halvorseni vendosi të shtojë diçka në menu, dhe kjo i dha një emër të ri ngjarjes historike.

“Duke ecur për në shkollë, nga retë të vjen një parashutë me sheqerka që gati sa nuk të godit në kokë”, thotë Gail Halvorsen.

“Operacioni i ndihmave në Berlin simbolizon thelbin e Luftës së Ftohtë që do të ishte një përplasje vlerash”.

Ish ambasador i Shteteve të Bashkuara në Nato Ivo Daalder thotë se ndihmat për Berlinin përcaktuan rolin udhëheqës të Amerikës në aleancën e sapo formuar të Natos dhe transformuan imazhin e Shteteve të Bashkuara nga një armik në një aleat.

“Shtetet e Bashkuara do të ishin aty, do të ishin aty gjithmonë për t’i ndihmuar dhe për t’i siguruar se ata do të ishin të mbrojtur”, thotë ambasadori Daalder.

Një mesazh që zoti Daalder thotë se duhet të ritheksohet sot ndërsa vihet në provë qëndrueshmëria e aleancës së NATO-s.

“Duke i kujtuar njerëzit se Shtetet e Bashkuara ishin atje si çlirues, jo si pushtues, si miq dhe aleatë, dhe jo si kundërshtar apo dhunues, është me të vërtetë e rëndësishme për të ruajtur aleancën dhe forcën e saj në 70 vitet e ardhshme”.

“Mendoj se Gjermania sot është më e rëndësishme për ne sesa ç’ishte atëherë”, thotë zoti Halvorsen

Sot, në moshën 98-vjeçare, Halvorsen ende nderohet në Gjermani si “Bombarduesi me karamele”.

Por, ndërsa koha kalon, Halvorseni është i shqetësuar se mësimet e vështira që brezi i tij mësoi në fillimet e Luftës së Ftohtë dhe miqësitë e formuara në përballjen e krizës, po veniten nga kujtesa.

“Të jesh izolacionist do të thotë të vdesësh, kështu që ne duhet të përfshihemi në atë që u ndodh të tjerëve”.

Një mesazh që ai vazhdon të përcjellë në një mision që ende po vazhdon më shumë se 70 vjet më vonë./VOA

 

Fraksion.com