Xhakolli: Pas 30 Qershorit, projekte strategjike për t’i kthyer ngjyrat Pogradecit
Pogradeci ka nevoja urgjente dhe strategjike për të cilat kam gati një program”.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për ERTV nga Pogradeci, kandidati socialist për kryetar të kësaj bashkie, Ilir Xhakolli, teksa prezantoi platformën e tij për zhvillimin e qytetit liqenor.
“Në radhë të parë kemi një plan për liqenin, sepse sot vazhdojnë të derdhen mbeturina dhe ujërat e zeza të njësive administrative. Unë kam projekt për të rregulluar sistemin e ujërave të zeza të njësive Buçimas dhe Udenisht dhe tek përrenjtë që derdhen në liqen. Operatori që do mirëmbajë apo pastrojë qytetin, do ta ketë të detyruar të blejë një pajisje për pastrimin e bregut të liqenit. Ky është kusht që liqeni të jetë i mirëmenaxhuar “, – tha Xhakolli.
Ish deputeti që sot kërkon të menaxhojë Pogradecin, tha se “qyteti ka vuajtur për një shëtitore buzë liqenit ose një lungo-gjol siç u shpreh Kryeministri, e cila do të fillojë nga hyrja e Pogradecit deri në Tushemisht”.
Sipas tij, kjo do të jetë baza ku ne do të mbështesim projektet e tjera.
“Një tjetër projekt do të jetë rregullimi i fasadave për ta bërë nga një qytet gri që është sot në një qytet të bukur e të lulëzuar siç e meriton Pogradeci”, – tha Xhakolli.
Xhakolli shprehet se emergjente është edhe ndërhyrja në fshatrat e Pogradecit pasi nga 73 fshatra të bashkisë, 53 prej tyre kanë problem me ujin e pijshëm, ujërat e zeza dhe kanalet vaditëse.
Lidhur me mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, Xhakolli tha se “do të rindërtohet rruga që të çon në kalanë e qytetit dhe zhvillimi i fshatrave turistikë si Lini. Kjo kala ka një histori mbi 2 mijë vjeçare dhe unë do të punoj fort deri sa ta rindërtojmë. Do të mundohemi të plotësojmë një guidë turistike. Përveç kalasë kemi edhe varret e Selcës, që datojnë në shek. IV para erës sonë. Kemi edhe mozaikun e Linit , më i madhi në Ballkan me sipërfaqe 220 metër katror, për të cilin kemi gati projektin e rikonstruksionit”.
Ai tha se “guidën turistike do ta shtojmë edhe me dy fshatra të tjerë Niçë dhe Gëllkë. Do punoj fort për të lidhur rrugën e Qukësit me këta dy fshatra”.
“Ne do të rivitalizojmë edhe sportet e vjetra dhe lojërave të ndryshme në liqen. Qyteti ka qenë qyteti më i zymtë nga të gjithë edhe në rastet e festave, sepse nuk ka pasur vëmendje nga bashkia e Pogradecit. Në projektin tonë kemi rikonstruksionin e dy lagjeve të vjetra të Pogradecit, mes tyre edhe rruga Naim Frashëri “, tha Xhakolli.
Fraksion.com