AktualitetTë fundit

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, Biba: Votimi 5-0 rrëzoi pavlefshmërinë absolute të Dekretit të Metës

Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba reagoi sot pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e kërkesës së Partisë së Unitetit Kombëtar për mospjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit.

Biba theksoi se,“Kolegji Zgjedhor me votë unanime 5-0 rrëzoi ankimin e Partisë Uniteti Kombëtar për tu çregjistruar nga zgjedhjet për pushtetin vendor të datës 30 qershor 2019”.

Me fjalë të tjera, shtoi ai, “Kolegji Zgjedhor, që është trupa më e lartë gjyqësore në RSh për çështjet zgjedhore, e vendimi i të cilit është i paankimueshëm, sapo la në fuqi vendimmarrjen e KQZ, vendimmarrje që, ndër të tjera, konstaton edhe pavlefshmërinë absolute të Dekretit të Presidentit të Republikës”, theksoi Biba.

“Do të doja shumë që kjo situatë të ishte e paqenë, që Presidenti të mos e kishte nxjerrë Dekretin e dytë për anulimin e datës së zgjedhjeve; që KQZ të mos vihej në pozitën e vështirë e të padëshirueshme për të konstatuar si absolutisht të pavlefshëm një akt të Kreut të Shtetit; që Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit të mos e godiste Dekretin e Presidentit e, në një farë mënyre edhe autoritetin e tij”, shtoi Biba.

Siqodoftë, nënvizoi ai, “nuk mund ta fsheh kënaqësinë personale për ngadhënjimin profesional lidhur me faktin e pamohueshëm tashmë se vendimi i KQZ ishte ligjërisht korrekt, paçka se politikisht nuk i pëlqeu një pjesë të politikanëve të vendit”.

“KQZ nuk mori kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, paçka se mëse njëherë kjo e fundit ka vendosur se dekretet presidenciale nuk përbëjnë lëndë kushtetuese”, u shpreh Biba.

KQZ, shtoi ai, “u gjend përpara një situate ku, ose do të ndërpriste procesin zgjedhor, ose do të vijonte përgatitjet, megjithëse Dekreti që anuloi datën e zgjedhjeve ishte haptazi i paligjshëm. Ne u fokusuam te paligjshmëria flagrante, e jo te kushtetutshmëria/antikushtetushmëria e Dekretit. Tashmë vendimmarrja e KQZ u certifikua edhe gjyqësisht. KQZ sapo bëri histori, më së paku përsa i përket të drejtës administrative. Kjo është një ditë e mirë për shtetin e së drejtës në Shqipëri”./atsh

 

Fraksion.com