Trump: Nuk po kërkoj luftë me Iranin
Presidenti amerikan Donald Trump thotë se “nuk po kërkon luftë” me Iranin dhe është i gatshëm të negociojë me udhëheqësit e tij pa kushte, por se Republika Islamike nuk duhet të lejohet në asnjë mënyrë të grumbullojë arsenal armësh bërthamore.
Trump tha në një intervistë për emisionin “Meet the Press” të NBC-së se nëse Shtetet e Bashkuara do të hynin në luftë me Iranin “do të ishte mposhtje që nuk është parë kurrë më parë”.
“Por unë nuk po përpiqem ta bëj një gjë të tillë”, shtoi ai.
“Nuk mund të keni armë bërthamore. Dhe nëse doni dialog për këtë çështje, mirë. Përndryshe, do të jetoni në një ekonomi të rrënuar për një kohë të gjatë”, tha Presidenti Trump.
Komentet e Trump, të regjistruara të premten, u transmetuan pasi ai deklaroi të shtunën, pa dhënë detaje se se ka në plan të vendosë sanksione të reja “madhore” kundër Iranit të hënën.
Ai shkruante në Twitter të shtunën se “Irani nuk mund të ketë Armë Bërthamore” dhe se sanksionet do të hiqeshin sapo vendi të bëhej përsëri “produktiv dhe i begatë”.
Dy zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton dhe nënpresidenti Mike Pence, paralajmëruan përsëri Iranin, duke thënë se nuk duhet të keqkuptojë si “dobësi”, vendimin e minutës së fundit të Presidentit Trump për të mos u kundërpërgjigjur ushtarakisht ndaj rrëzimit të dronit amerikan pa pilot pranë ngushticës së Hormuzit.
“As Irani, dhe asnjë aktor tjetër armiqësor nuk duhet të ngatërrojë vetëpërmbajtjen amerikane me dobësinë”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare, John Bolton në Jeruzalem para një takimi me Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Ushtria jonë është e konsoliduar dhe në gatishmëri”, tha ai.
Nënpresidenti Mike Pence i tha televizionit CNN se “Iran nuk duhet ta interpretojë përmbajtjen me mungesën e vendosmërisë. Ky president shpreson më të mirën për popullin iranian … por ne do t’u përgjigjemi provokimeve të tyre”.
Fraksion.com