AktualitetBota+Të fundit

Pompeo në Arabinë Saudite, kërkon “koalicion global” kundër Iranit

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, arriti në Arabinë Saudite, në kuadër të një turneu në Gjirin Persik.

Pompeo, i cili do të qëndrojë edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, tha se synon ndërtimin e një “koalicioni global” kundër Iranit.

Ai tha se koalicioni do të përfshinte jo vetëm shtetet e Gjirit, por edhe vende në Azi dhe Afrikë që “janë të gatshme t’i kundërvihen”, siç u shpreh ai, mbështetësit më të madh të terrorizmit në botë.

Pompeo përsëriti edhe deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, se Uashingtoni është i gatshëm të negociojë me Teheranin pa parakushte, në përpjekje për të qetësuar tensionet.

Tensionet janë rritur prejse Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar, janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore dhe kanë rikthyer sanksionet kundër Republikës Islamike.

Trump do që ta detyrojë Teheranin të rinegociojë marrëveshjen bërthamore, duke thënë se kushtet e saj nuk kanë qenë të ashpra mjaftueshëm sa për ta penguar Iranin nga krijimi i armës bërthamore.Irani mohon se mbështet aktivitetet terroriste dhe thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime civile.

Tensionet janë rritur edhe më shumë javën e kaluar, kur Irani ka rrëzuar një dron të SHBA-së.

Sipas Teheranit, ai e ka shkelur hapësirën e tij ajrore, por Uashingtoni e ka mohuar një gjë të tillë.

 

Fraksion.com