AktualitetPolitikëTë fundit

Kolegji Zgjedhor rrëzon Metën: Zgjedhjet zhvillohen në 30 qershor!

Kolegji Zgjedhor sapo hodhi poshtë zhdekretimin e presidentit Ilir Meta për datën 30 qershor të mbajtjes së zgjedhjeve, duke vendosur që zgjedhjet lokale të mbahen në këtë datë.

Kolegji Zgjedhor la në fuqi vendimin e KQZ-së. Më herët KQZ-ja nuk e ka njohur dekretin e kreut të shtetit, duke vijuar përgatitjet për zhvillimin e procesit zgjedhor në 30 qershor. Ky vendim konfirmon paligjshmërinë e dekretit të Metës, duke i hapur rrugë zhvillimit të zgjedhjeve në 30 qershor.

Me këtë vendim i jepet fund krizës politike nga aspekti ligjor. Trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që shqyrtoi kërkesën është e përbërë nga Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj.

Më herët Kolegji Zgjedhor është vënë në lëvizje nga kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri. Avokati Beqiri i kërkoi fillimisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve çregjistrimin e Partisë së Unitetit Kombëtar nga zgjedhjet, bazuar në dekretin e dytë të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve lokale.

Beqiri e argumentoi kërkesën dërguar KQZ-së, se zgjedhjet janë anuluar me dekret të presidentit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi.

Por kërkesa u rrëzua nga KQZ-ja, me argumentin se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Në këtë kushte, Beqiri e dërgoi kërkesën në Kolegjin Zgjedhor.

Pritet të shihet tani se cili do të jetë reagimi i klasës politike shqiptare, presidentit Meta dhe sidomos i bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka tashmë një akt juridik në dorë për të gjykuar për zgjedhjet e 30 qershorit.

 

Fraksion.com