AktualitetBota+Të fundit

Kim Jong UN merr letër nga Presidenti Trump

Udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un ka marrë një letër personale nga Presidenti amerikan Donald Trump dhe po e lexon atë me kujdes, tha media shtetërore koreano-veriore të dielën.

Agjencia zyrtare e lajmeve publikoi një fotografi të Kimit duke mbajtur letrën dhe dukej se ajo kishte siglën e Shtëpisë së Bardhë. Në njoftimin e agjencisë thuhej se Kim vlerësoi “përmbajtjen e shkëlqyer të saj”.

Agjencia tha gjihashtu se duke vlerësuar aftësitë gjykuese politike dhe kurajon e jashtëzakonshme të Presidentit Trump, Kim Jong Un do ta shqyrtonte me seriozitet përmbajtjen interesante të letrës.

Në njoftim nuk thuhej gjë tjetër për përmbajtjen e letrës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo konfirmoi të dielën se letra ishte dërguar dhe tha se “shpresonte që kjo do të përbëjë një bazë të mirë për të filluar dhe vazhuduar diskutimet e rëndësishme me koreanët për çnuklearizimin e gadishullit”.

Zoti Trump tha më herët këtë muaj se kishte marrë një letër “të bukur”, “shumë personale” dhe “shumë të ngrohtë” nga udhëheqësi koreano-verior.

Megjithëse bisedimet për çështjet bërthamore mes zyrtarëv amerikanë dhe koreano-veriorë kanë ngecur, udhëheqësit e dy vendeve kanë shkëmbyer letra dhe fotografi gjatë vitit të fundit dhe thonë se marrëdhëniet mes tyre vazhdojnë të jenë të ngrohta.

 

Fraksion.com