AktualitetTë fundit

Bie në pranga; Lëvizte i armatosur dhe me makinën e vjedhur

Një person i cili lëvizte i armatosur dhe me makinë të vjedhur, është vënë në prangat e policisë së komisariatit nr.2 në Tiranë.

Pas marrjes së kallëzimit nga një shtetas italian, se nëpërmjet mashtrimit shtetasi E. P., i kishte marrë automjetin ‘Alfa Romeo’ dhe nuk ia kishte kthyer më, u organizua puna për gjetjen e automjetit.

Si rezultat i informacioneve të grumbulluara gjatë kësaj të diele, në rrugën “Bilal Golemi” shërbimet e policisë kanë konstatuar automjetin, ku dhe kanë ndërhyrë menjëherë për të bërë bllokimin.

Drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet, por nuk ka mundur dot dhe menjëherë ka hedhur nga automjeti një armë zjarri Pistoletë “TT”.

Policia ka bërë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, të shtetasit E.S., 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Vrasja” mbetur në tentativë.

Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim për veprën penale “Mashtrimi” e shtetasit E. P., 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale, pasi ky shtetas ka mashtruar shtetasin italian duke i marrë makinën dhe ja ka shitur shtetasit E.S.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit së bashku me një karikator me fishekë si dhe automjeti në pronësi të shtetasit italian.

Lidhur mne këtë rast hetimet janë në vijim dhe materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com