OKB-ja i pezullon pjesërisht ndihmat në Jemen
Kombet e Bashkuara e pezulluan pjesërisht ndihmën për disa pjesë të Jemenit, të cilat kontrollohen nga rebelët Huthi, duke i akuzuar ata për keqpërdorim të furnizimeve.
Programi Botëror i Ushqimit e përshkroi këtë veprim si një “mjet të fundit”.
Agjencia e OKB-së ka paralajmëruar qysh më herët se do t’i kufizojë furnizimet për të parandaluar devijimin e tyre nga zyrtarët e korruptuar.
Ajo ka thënë se përpjekjet për të arritur te njerëzit në nevojë janë bllokuar.
Programi Botëror i Ushqimit tha se do t’i ndalojë operacionet në kryeqytetin Sana, porse furnizimet për fëmijë dhe nëna shtatzëna do të vazhdojnë.
“Jemeni aktualisht është kriza më e keqe humanitare në botë dhe rreth 12 milionë njerëz – pothuajse 40% e popullsisë – janë në prag të urisë”, tha David Beasley, udhëheqës i Programit Botëror të Ushqimit.
Luftimet në Jemen kanë nisur në vitin 2014, kur lëvizja shiite Huthi ka marrë nën kontroll një pjesë të madhe të territorit, duke e detyruar presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi të mërgojë.
Konflikti është përshkallëzuar në mënyrë dramatike në mars të vitit 2015, kur Arabia Saudite dhe tetë vende të tjera sunite arabe – të mbështetura nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca – kanë filluar sulmet ajrore kundër rebelëve Huthi, me qëllim, siç është thënë, rikthimin e qeverisë së presidentit Hadi.
OKB-ja thotë se mbi 7,000 civilë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit.
Fraksion.com