AktualitetPolitikëTë fundit

“Meta do të nxjerrë ushtrinë në rrugë”; Xhaçka: Kur e dëgjova këtë mendova se ishte shaka sepse…

Pak ditë më parë gazeta SHQIP raportoi se presidenti Ilir Meta u ka dërguar një letër ambasadorëve se do të nxjerrë ushtrinë në rrugë nëse kryeministri tenton të zhvillojë zgjedhjet vendore më 30 qershor. Këtë vendim, Presidenti thotë se e ndërmerr si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Por a ekziston rreziku që të shkojmë në një përballje ushtri-polici dhe kush mund ta urdhërojë ushtrinë. Përgjigjen e ka dhënë ministrja Xhaçka në A2CNN.

“Absolutisht jo, në asnjë skenar. Ushtria del në rrugë në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila nuk ka lidhje fare me Presidentin, por me Këshillin e Ministrave që i propozon Parlamentit në kushtet kur Policia e Shtetit, jo është dorëzuar, por nuk arrin dot të mbrojë institucionet, rendin kushtetues dhe kërkon ndihmë më shumë. Atëherë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme bëhet nga Këshilli i Ministrave dhe me vendim Parlamenti, ushtria mund të asistojë në vendosjen e rendit, në ruajtjen e rendit kushtetues.
Nuk ka absolutisht asnjë shans të vetëm që në kohë paqeje Presidenti të urdhërojë ushtrinë të dalë në rrugë. Përveçse në kohë lufte, në kohë paqeje Komandanti i Forcave të Armatosura ushtron të drejtën e tij përmes Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes. Kur e dëgjova këtë mendova se ishte shaka sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër”, u shpreh Olta Xhaçka.

 

Fraksion.com