Kryegjyqtarja e Apelit të Krimeve të Rënda konfirmohet në detyrë
Saida Dollani, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, konfirmohet në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Seanca dëgjimore e zhvilluar të enjten ndaj gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollani nuk evidentoi asnjë problem në kriterin e pasurisë, atë të pastërtisë së figurës si dhe të aftësive profesionale. Relatorja e çështjes, Valbona Sanxhakatari u shpreh në fillim të seancës dëgjimore se Komisioni e ka kryer rivlerësimin e gjyqtares Dollani në të tre kriteret.
Trupa gjykuese e KPK përbëhej nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Marie Tuma.
Të premten trupa gjykuese doli në vlerësimin se gjyqtarja Dollani ka kaluar me sukses Vetingun.
Dollani ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ajo e ka filluar udhëtimin e saj si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier në vitin 2000 dhe në vitin 2004 është promovuar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, një nga gjykatat më të larta të karrierës në Shqipëri.
Fraksion.com