Çekët të alarmuar; udhëheqësit populistë vënë në shënjestër mediat publike
Gazetarët çekë dhe analistët e mediave po ngrejnë alarmin për kërcënimet ndaj mediave publike të vendit nga presionet në rritje nga politikanët populistë.
Anëtarë të komisioneve që mbikqyrin agjensinë çeke të lajmeve CTK, të Televizionit Çek dhe të Radios Çeke përzgjidhen nga ligjvënësit. Tashmë vëzhgues të mediave parlajmërojnë se disa prej të emëruarve mund të ndikojnë në cilësinë e mbulimit mediak.
Javës së ardhshme, parlamenti çek pritet të promovojë Michal Semin, një gazetar dhe shkrimtar që ka fajësuar elitat amerikane për sulmet terroriste të 11 shtatorit, për t’u bërë anëtar i këshillit të CTK-së.
“Ekziston një rrezik i madh që një person me pikëpamje të tilla shumë ekstravagante të ulet në bordin e një medie kryesore publike”, i tha agjensisë së lajmeve AFP, Adam Cerny, kryetar i Sindikatës Çeke të gazetarëve.
Nëse emërohet, zoti Semin do t’i bashkohet anëtarit tjetër të këshillit, gazetarit Petr Zantovsky, i cili ka thënë se nuk do ta kishte problem që CTK-ja të transmetonte lajme përmes serverit të Sputnik-ut, agjensisë ruse të lajmeve të mbështetur nga shteti.
Zoti Semin u propozua nga opozita e së djathtës së largët, partia anti-BE SPD. Ndërsa Zantovsky ishte i emëruari i partisë populiste në pushtet ANO, partia e kryeministrit miliarder Andrej Babis. Zoti Semin ka dalë tashmë në krye të listës së kandidatëve gjatë një raundi të parë votimesh këtë muaj, me mbështetjen e ANO-s dhe SPD-së.
Këto dy parti mund të kenë rrjedhimisht 5 nga 7 anëtarët e Këshillit të CTK-së, i cili emëron drejtorin e agjensisë dhe merr vendimet kryesore për biznesin.
“Mediat publike çeke gjenden në rrezik”, tha Tomas Trampota, një sociolog i mediave në Universitetin e Nju Jorkut në Pragë (UNYP). “E shoh emërimin e tij si një rrezik”.
Zoti Semin, kreu i Lëvizjes Mjaft që mbështet SPD-në, dikur e ka quajtur Televizionin Çek një “muzeum bolshevik” dhe një “moçal mediatik”.
Në vitin 2016, ai tha se shpjegimi zyrtar për sulmet në Nju Jork dhe Uashington më 11 shtator 2001 ishte një “përrallë” dhe se sulmet ishin pjesërisht të orkestruara nga elitat e Shteteve të Bashkuara, me përfitues Izraelin.
Zoti Semin i tha agjensisë së lajmeve AFP se mediat publike duhet të “pasqyrojnë pluralizmin e opinioneve në shoqëri”. Kundërreagimi për emërimin e tij ishte “një manipulim mediatik”, shtoi ai.
“Ka forcuar vendosmërinë time për të kandiduar dhe provoi se kam të drejtë që jam mëse i turpëruar nga bota jonë mediatike, në veçanti ajo publike”, tha zoti Semin.
Ai tha se iu kërkua të kandidojë nga udhëheqësi i SPD-së Tomio Okamura, me të cilin ndan dëshirën për një “CzExit” (dalje të Çekisë) nga Bashkimi Evropian.
Zoti Okamura i ka quajtur vazhdimisht gazetarët e Televizionit Çek “gënjeshtarë”, ndërsa Kryeministri Babi i ka quajtur një “tufë të korruptuarish”.
Zoti Babis udhëheq një qeveri të pakicës së qendrës së majtë ANO dhe të majtëve social-demokratë, me mbështetje të komunistëve për të patur një shumicë parlamentare.
Ai u vendos në fokusin e mediave për shkak të akuzave të policisë ndaj tij për mashtrim me subvencionimet e BE-së, për shkak të një hetimi të BE-së të rolit të tij të dyfishtë si biznesmen dhe politikan, si dhe për akuzat se kishte qenë agjent i policisë sekrete komuniste në vitet ’80-të.
Fraksion.com