Blindohet Tirana para protestës: FNSH, 1500 policë dhe kamera
Sot në orën 20.00 opozita e bashkuar do të mbajë para Kryeministrisë protestën e nëntë kombëtare.
Edhe pse një ditë më parë, kreu demokrat Lulzim Basha deklaroi se protesta do të jetë e qetë, Policia e Shtetit i ka marrë të gjitha masat për ruajtjen e institucioneve dhe rendit publik.
Mësohet se rreth 1500 forca policie do të jenë pranë Kryeministrisë dhe Parlamentit. Ndërsa në disa pika, policia ka shtuar edhe kamerat e sigurisë me rezolucion më te lartë. Kjo për të bërë të mundur identifikimin e protestuesve të dhunshëm.
Kontrolle janë kryer edhe në akset kombëtare për personat që udhëtonin drejt Tiranës. Masa të shtuara janë marrë edhe tek godina e Ministrisë së Brendshme, ndërsa një grup tjetër efektivësh do të qëndrojnë në gatishmëri për institucione të tjera ku mendohet se mund të marshojë turma.
Fraksion.com